Në Kosovë jetojnë rreth 47 mijë serbë, sipas regjistrimit të pjesshëm dhe projeksioneve

Prishtinë, 20 dhjetor 2024 – Numri i saktë i banorëve serbë në Kosovë mbetet ende i panjohur.

Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua nga 5 prilli deri më 24 maj.

Disa u ankuan se askush nuk u trokiti në derë, ndërsa Agjencia e Statistikave e Kosovës pranoi se kishte probleme edhe me regjistruesit serbë, sepse ata refuzuan ta kryenin punën e tyre, për shkak të “presionit,”.

Partia kryesore politike serbe, Lista Serbe, kishte deklaruar se serbët nuk do të merrnin pjesë në regjistrim.

Për këtë arsye, Agjencia e Statistikave, në vend që të publikonte numrin e të regjistruarve, dha një vlerësim për numrin e banorëve serbë në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor nga Agjencia e Statistikave, në atë pjesë të Kosovës jetojnë rreth 20.000 serbë, ndërsa në gjashtë komunat tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillugë) janë regjistruar 27.316 serbë.

Bazuar në rezultatet përfundimtare të regjistrimit të publikuara për të gjithë territorin e Kosovës, duke kombinuar të dhënat nga jugu dhe vlerësimet për veriun, jetojnë gjithsej 53.021 serbë, që përbëjnë 2.31 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Komuniteti serb bojkotoi regjistrimin edhe në vitin 2011, ndërsa në veri nuk u mbajt fare. Në atë kohë, Agjencia e Statistikave vlerësoi se në Kosovë jetonin rreth 25.000 serbë.

Për këtë arsye, që nga viti 1999, numri i këtij komuniteti është vlerësuar nga organizata ndërkombëtare, institucione të Kosovës dhe ato të Serbisë.

Çfarë thonë të tjerët?

Organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut, në raportin e saj të vitit 2022 “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb të Kosovës”, tha se vlerësimet më të sakta janë ato të OSBE-së dhe ECMI-së (Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve).

Sipas kësaj vlerësimi, në vitin 2013 në Kosovë jetonin 146.128 serbë. Nuk ka të dhëna më të reja.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një fjalim në vitin 2019 deklaroi se në vitin 2017 në Kosovë jetonin rreth 95.000 serbë, prej të cilëve 48 për qind në veri dhe 52 për qind në jug.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, nga viti 1999 deri më 2004, rreth 200.000 persona u zhvendosën nga Kosova në Serbi. Megjithatë, sipas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të Qeverisë së Kosovës, kthimi ka qenë shumë i ulët në dy vjetët e fundit. Besohet se janë kthyer rreth 30.000 persona.

Pasojat e bojkotit të regjistrimit

Sipas Ligjit për Financimin e Vetëqeverisjes Lokale, ndarja e fondeve për komunat bazohet në numrin e përgjithshëm të popullsisë, numrin e pakicave dhe sipërfaqen gjeografike.

Bekim Salihu nga Instituti GAP paralajmëron se bojkotimi i regjistrimit do të ndikojë negativisht në buxhetin dhe zhvillimin ekonomik të komunave me shumicë serbe.

“Komunat me shumicë serbe do të përballen me buxhete të reduktuara, sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre bazohet në numrin e popullsisë. Gjithashtu, këto komuna nuk do të mund të vlerësojnë burimet njerëzore dhe potencialin ekonomik, duke krijuar boshllëqe në strategji apo plane zhvillimi”, tha Salihu.

Gazetarja Ana Marija-Ivkoviq nga Mitrovica e Veriut thekson se të dhënat e regjistrimit mund të keqpërdoren nga të dyja palët: Prishtina dhe Beogradi.

“Prishtina do t’i përdorë projektimet si relevante, ndërsa Beogradi si jorelevante”, thotë ajo.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*