Prishtinë, 23 shkurt 2022 – Dogana e Kosovës ka zbuluar e sekuestruar të mërkurën 83.5 kg drogë të llojit heroinë, në një kamion që kishte ardhur nga Turqia.
Droga është zbuluar në Terminalin Doganor në Han të Elezit. Ajo ishte e ndarë në 160 paketime të fshehura në 32 reflektorë që gjendeshin në kamion.
“Gjatë kontrollit të Doganës së Kosovës është dyshuar se në mjetin transportues, përveç mallrave të ndryshme, kanë qenë edhe 32 reflektorë, ku në to të paketuara kanë qenë nga pesë qese, të dyshuara me substancën e llojit heroinë – gjithsej 160 paketime”, ka thënë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Shukri Jashari, në një konferencë për media.
Ai ka thënë se Prishtina ishte destinacion i drogës.
Policia njoftoi se shtatë persona janë arrestuar, kurse dy të tjerë janë në kërkim lidhur me këtë rast.
“Kemi gjetur sasinë e cila përafërsisht arrin në 83,5 kg. Hetuesit policorë më pas kanë marrë veprime në terren në bashkëpunim me kryeprokurorin dhe kemi vazhduar në bastisjen në Prishtinë dhe Pejë. Deri më tani janë 7 persona të ndaluar të ndaluar për 48 orë dhe dy persona janë në kërkim. janë konfiskuar 2 vetura dhe kemi involvuar edhe autokrimet dhe njësinë e hetimeve financiare. Drejtoria e Antidrogës falënderon Doganën për bashkëpunimin dhe koordinim e ashtu edhe Policinë kufitare e cila ka ofruar mbështetjen në të gjitha rastet e deritanishme”, ka thënë drejtori i Njësisë Antidrogë, Reshat Murseli.
(r.m.)