Prishtinë, 8 qershor 2021 – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të martën se ka konfirmuar një rast të infeksionit me variantin afrikan të koronavirusit.
Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se pacienti është i hospitalizuar dhe është duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ndërsa instituti do të hulumtojë kontaktet e pacientit.
“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja”, thuhet në njoftim.
Varianti afrikan i kosonavirusit njihet si “Beta” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky variant, i cili është identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, është përhapur tashmë në së paku 20 vende të botës.
Nuk ka prova se ai shkakton sëmundje më të rëndë se variantet tjera të koronavirusit, por ka shqetësime se ai mund të përhapet më shpejt.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së,deri më 7 qershor, Kosova ka konfirmuar gjithsej 107.507 raste pozitive me koronavirus. Prej tyre, 2.245 pacientë kanë vdekur,kurse 104.188 janë shëruar.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të muajit mars. Sipas autoriteteve, deri më tani janë vaksinuar mbi 80.000 persona.
(r.m.)