Në Kosovë, KQZ-ja nis procedurat për zëvendësimin e deputetëve serbë

Prishtinë, 8 nëntor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë kërkesë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të rekomandohen emrat të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe, që kanë dhënë dorëheqje.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe, së bashku me zyrtarët e tjerë serbë në institucionet në veri të Kosovës, dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

“Duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej pesë ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas procedurave, deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me emrat e radhës në listën për deputetë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Më 7 nëntor, kur deputetët e Listës Serbe dorëzuan dorëheqjet, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nuk rrezikohet puna e këtij institucioni.

“Unë do t’i drejtohem presidentes [të Kosovës, Vjosa Osmani], e pastaj procedurat tjera thonë që presidenca i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e pastaj KQZ i përgjigjet me propozimet për deputetë që vijnë nga e njëjta listë. Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa t’i plotësojmë vendet në Kuvend nga pakica serbe”, tha Konjufca.

Por, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, plotësimi i këtyre vendeve në Kuvend mbetet diskutabil, në qoftë se përfaqësuesit tjerë të Listës Serbe nuk do të merrnin mandatet e deputetëve.

“Në atë situatë do të futeshim në një krizë, në kuptimin kushtetues, sepse nuk është e qartë se me kë mund të zëvendësohen deputetët e tjerë, për shkak se dy partitë tjera të komunitet serb kanë së bashku vetëm tetë kandidatë për deputetë”, ka thënë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë situatë, Cakolli ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të parë si mund të procedohet tutje.

Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë dhe dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 i ka fituar Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Përveç deputetëve, edhe afër 600 zyrtarë policorë, por edhe gjyqtarë dhe prokurorë në veri kanë paraqitur dorëheqjen.

Përfaqësuesit serbë po kërkojnë që Qeveria të heqë dorë nga plani për targat dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Qeveria ka nisur zbatimin e planit prej tri fazash më 1 nëntor. Fillimisht, shoferët me makina që kanë targa të lëshuara nga Serbia do të qortohen, më pas do t’iu shqiptohen gjoba prej 150 eurosh dhe faza e fundit parasheh përdorimin e targave provuese.

Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mund të qarkullojnë vetëm makina me targa të ligjshme RKS – Republika e Kosovës.

(REL)