Miratohet Ligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022

Prishtinë, 17 dhjetor 2021 – Kuvendi i Kosovës,në një seancë të jashtëzakonshme, të premten, e ka miratuar Ligjin për Buxhetin të vitit 2022, me 65 vota “pro”, asnjë votë “kundër” dhe një abstenim.

Buxheti i Kosovës përvitin 2022 do të jetë 2.7 miliardë euro.

Para hedhjes në votim, Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022 iu shtuan mbi 80 amendamente.

Kryeministri Albin Kurti e ka përshëndetur miratimin e buxhetit për vitin 2022.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se ky do të jetë “buxhet i zhvillimit të shtetit”.

“Falënderoj të gjithë deputetët që votuan buxhetin e Qeverisë sonë për vitin 2022. Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si ‘Trepça’ e ‘Telekomi’, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro.

Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet.

Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme. Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri”, ka shkruar Kurti.

Opozita e ka kundërshtuar votimin në seancë të jashtëzakonshme.

(r.m.)