Në Kosovë, miratohet në parim Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Prishtinë, 14 korrik 2022 – Shimca në Kuvendin e Kosovës e miratoi të enjten në leximin e parë projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky projektligj u miratua vetëm me votat e 58 deputetëve të koalicionit qeveritare dhe me 3 abstenime. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, me arsyetim se në projektligj nuk janë përfilluar rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Me këtë projektligj parashihet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë, nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kryeministri Albin Kurti tha se është e rëndësishme që të lidhur me projektligjin të zhvillohen më shumë konsultime me subjektet politike.

“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta”, tha ai, duke theksuar se Byroja dhe Vettingu në drejtësi nuk janë e njëjta gjë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në lexim të dytë do të adresohen edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij nuk e mbështet projektligjin, nëse në të nuk sigurohet gjithëpërfshirje.

“Ju keni kërkuar gjithëpërfshirje edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje… Ju, kryetar i Kuvendit, e keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe këtë ndërmarrjen tuaj e kemi vlerësuar këtu në Kuvend”, tha Bbdixhiku.

“Jam vullnetar në verifikimin e pasurisë, por vërejtjet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për ta bërë reformë të njëmendtë”, theksoi ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se për reformën në drejtësi është i rëndësishëm konsensusi politik.

“Konsensusin për reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm… Mendoj që edhe Qeveria duhet të reflektojë”, tha ai.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Aelancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se kjo parti kërkon që pronësinë mbi vettingun ta marrë Kuvendi i Kosovës.

“Nuk mund ta bëjë as vettingun e as këto ligje një parti”, theksoi Tahiri.

“Nëse pozita hyn në këtë proces pa koordinim, atëherë ajo nuk do ta ketë mbështetjen tonë”, shtoi ai.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili e kishte dërguar këtë projektligj në Komisionin e Venecias, tha se ai nuk votoi pro projektligjit, për shkak se aty duhet të adresohen sugjerimet e këtij komisioni. Por, ai shprehu bindjen se  të gjitha vërejtjet e sugjerimet e Komisionit të Venecias  do të adresohen  në komisionin funisional të Kuvendit, para se të hidhet në votim të dytë.

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme parasheh verifikimin për periudhën prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008, brenda periudhës dhjetëvjeçare prej kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Projektligji thotë se Byroja udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës me votat e shumicës së deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i drejtorit është pesëvjeçar.

Sipas projektligjit, për fillimin e procedurës për verifikim vendos drejtori i byrosë, pastaj byroja vazhdon me mbledhjen dhe hulumtimin e dokumentacionit relevant lidhur me rastin.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se qëllimi i projektligjit është legjitim, por në disa aspekte nuk e respekton Kushtetutën e Kosovës.

Jeton Hasani, hulumtues i lartë në këtë institut, ka thënë se projektligji ka të meta të caktuara juridike, duke filluar nga zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm. Sipas tij, drejtori i kësaj byroje është autoriteti kryesor për fillimin e procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, prandaj nuk do të ishte mirë që ai të zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi. Po sipas tij, drejtori i kësaj byroje edhe mund të shkarkohet lehtësisht, po me shumicë të thjeshtë.

Sipas ministres Haxhiu, në opinionet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas.

“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori, përmes një mekanizimi të jashtëm, pra nivele të larta duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive”, ka thënë ministrja Haxhiu.

(r.m.)

One Response to “Në Kosovë, miratohet në parim Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Miratimi këtë të enjve i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme prej shimcës së Kuvendit të Kosovës, e fut Kosovën në rrugën e drejtë drejt krijimit të shtetit ligjor. Ky hap i jep shembull Shqiperise se si te ecë dhe ajo drejt krijimit të shtetit ligjor, drejt pastrimit të oligarkëve nga postet shtetërore. Urime deputetëve të Kuvendit të Kosovës për këtë hap të madh drejt pastrimit nga korrupsioni!