Në Kosovë, miratohet projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti

Prishtinë, 27 korrik 2023 – Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten vonë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.

Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e 27 korrikut.

Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

Më herët gjatë ditës, Kuvendi e miratoi në lexim të parë këtë projektligjin, me të cilin është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”

Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.

Miratimi i këtij projektligji është bërë me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Krijimi i një skeme të re pensionale përmes ndryshimeve në ligjin aktual për pensione, u bë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2022 shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 të ligjit për skemat pensionale, pasi konstatoi se ky nen pa të drejtë iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.

Ligji aktual për skemat pensionale parasheh të drejtën e përfitimit nga pensioni kontribut-pagues vetëm për ata persona që dëshmojnë se kanë kontribuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.

Për personat që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb, nuk u mundësua që të gëzonin pensionin kontribut-pagues, për shkak se nuk përmbushnin kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune.

Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, aktualisht, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës.

Kjo skemë e re pensionale për personat që u larguan nga puna në vitet ’90, llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit.

(REL)