Prishtinë, 2 nëntor 2021 – Ministria e Shëndetësisë (MSH) e Kosovës e ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech.
MSH, në njoftimin e bërë për media, bën tëditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, por vetëm në prani të prindit apo të kujdestarit ligjor.
“Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse. Ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve të kësaj moshe me vaksinën kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.
MSH thotë se vaksinimi i fëmijëve të kësaj moshe është i sigurt dhe efikas.
“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të pa përfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”, thuhet më tutje në njoftim.
“Ministria e Shëndetësisë rikujton se deri tash ka qenë i lejuar vaksinimi i grup-moshës 12-15 vjeçe me indikacione shëndetësore dhe i të gjithë qytetarëve të moshës mbi 16 vjeç. Ministria i inkurajon prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër COVID-19, si mënyrën më të sigurt për parandalimin e infeksionit COVID-19 në mesin e fëmijëve”, thuhet në njoftimIN E SAJ.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë konfirmuar 21 raste të reja pozitive me COVID-19.
(r.m.)