Prishtinë, 9 nëntor 2021 – Ministria e Shëndetësisë (MSH) njoftoi se në Kosovë do të mund të vaksinohen kundër koronavirusit edhe shtetasit e huaj.
“Vaksinimi edhe i qytetarëve jokosovarë bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në këtë periudhë të fundvitit kur ka edhe fluks më të madh të ardhjeve të qytetarëve nga vende të ndryshme në Kosovë dhe kur institucionet kosovare kanë mundësi që të ofrojnë vaksina për të gjithë qytetarët në Kosovë, të moshës mbi 12 vjeç, pa marrë parasysh se a janë shtetas të Republikës së Kosovës apo jo”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Fushata e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars. Sipas të dhënave të MSH-së, deri më tani janë administruar mbi 1.5 milion doza të vaksinës. Me dy doza janë imunizuar mbi 739 mijë qytetarë, ndërsa dozën e parë e kanë marrë mbi 841 mijë persona.
Qeveria e Kosovës ka thënë se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e popullatës që përfshihet në programin e vaksinimit.
(r.m.)