Në Kosovë ndalohen 16 shtetas serbë të dyshuar për lidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake të Serbisë

Prishtinë, 6 prill 2025 – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se 16 shtetas të Serbisë janë ndaluar të shtunën dhe të dielën në Gjakovë dhe në Prizren.

Ai ka bërë të ditur se te të ndaluarit, të cilët janë prezantuar si pelegrinë, janë gjetur dëshmi të “ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.

“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se te të arrestuarit janë gjetur materiale që forcojnë dyshimet për lidhje të tyre me strukturat e sigurisë së Serbisë.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, ka shkruar ai.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative… Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka treguar se nga hetimet paraprake rezulton se njëri nga të arrestuarit ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit që e kreu sulmin terrorist në Banjskës, Nemanja Radivojeviq, ne nofkën “Gandi”, kurse tjetri është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.

“Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, ka shkruar Sveçla.

“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme”, ka shkruar ministry në detyrë, Xhelal Sveçla.

Tëvë1 ka siguruar emrat dhe dokumentet e katër të ndaluarve në Gjakovë, si dhe kartën e policisë serbe të njërit prej tyre.

Ekskluzive, këta janë katër serbët e arrestuar të kamufluar si “pelegrinë”

Të arrestuarit janë: Branko Rakiq me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, Nemanja Vamokiq, toger i policisë së Serbisë me vendbanim në Novi Sad, Pavle Kragoviq, me vendbanim në Beograd dhe Millovan Steviq, kapiten dhe agjent i ushtrisë serbe, me vendbanim në Mitrovicë të Veriut.

(r.m.)

Comment

*