Në Kosovë, ndalohet përdorimi i TikTok-ut në institucionet publike

Prishtinë, 28 qershor 2024 – Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj, të premten, mori vendim të ndalojë përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit TikTok në institucionet shtetërore të vendit.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ministria e Brendshme ka propozuar të ndalohet përdorimi i TikTokut në institucione, siç u shpreh, “me qëllim të eliminimit të rreziqeve kibernetike”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bardhyl Dobra, tha se ndalimi i kësaj platforme bëhet për shkak të rreziqeve kibernetike që paraqet ajo.

“Ky vendim ka për synim të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibenernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se institucionet publike që i administrojnë rrjetet shtetërore të komunikimit obligohen “të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të aplikacionit TikTok në ambientet zyrtare të punës”, ndërsa zyrtarët publikë “janë të obliguar që nga pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij”.

Qeveria e Kosovës tha se me vendimin e ndalimit të TikTok-ut në institucionet publike u mor edhe duke e ndjekur shembullin e shteteve aleate.

Shumë shtete anembanë botës kanë vendosur kufizime për platformën Tik-tok, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Edhe Bashkimi Evropian e ka ndaluar përdorimin e TikTok-ut në institucionet e tij.

(r.m.)