Në Kosovë, ngrihet aktakuzë kundër një serbi të dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.GJ, i nacionalitetit serb, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Siç thuhet në njoftimin e kuaj prokurorie, M.Gj. është nga fshati Vitomiricë afër Pejës, dhe pretendohet se më 7 maj 1999, ai dhe pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, fillimisht rrethuan fshatin Ozdrim në komunën e Pejës, dhe më pas nisën një ofensivë ushtarake – policore, “duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç’rast u vranë 19 civilë të nacionalitetit shqiptarë”.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas njoftimit, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, i pandehuri do të mbahet në  paraburgim deri në një vendim të gjykatës.

  1. Gj, është arrestuar në fund të qershorit të vitit të kaluar.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

(REL)