Prishtinë, 28 korrik 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë më 28 korrik ndaj Z.A mbi dyshimet për krime lufte ndaj popullatës civilë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Z.A., i cili i përket nacionalitet serb, u arrestua fillimisht më 7 mars, ndërsa më 8 mars atij iu vendos masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në njoftimin e PSRK-së thuhet se Z.A. dyshohet se ai “e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M. duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, keqtrajtuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet, si dhe, duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë”.
Ai gjithashtu akuzohet se kishte marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës.
“… Pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Këto veprime, Z.A. dyshohet se i kishte kryer gjatë periudhës së luftës në Kosovë “në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe” dhe “i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur”
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
(REL)