Në Kosovë nis dhënia e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit

Prishtinë, 8 dhjetor 2021 – Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se të enjten, më 9 dhjetor, do të fillojë dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit.

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”, thuhet në njoftim.

Ministria bëri të ditur se doza e tretë e vaksinës u jepet atyre që nuk kanë krijuar imunitet të mjaftueshëm nga dy dozat e para, gjashtë muaj ose më shumë prej marrjes së dozës së dytë.

Ndërkaq, doza përforcuese e vaksinës u jepet personave që mund t’u ketë rënë imuniteti, tetë javë pas dozës së dytë apo së paku gjashtë muaj pas dozës së dytë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i kishte rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave përforcuese.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të marsit. Deri më tash janë vaksinuar plotësisht mbi 42 për qind e qytetarëve.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, Serbia prin në rajon me vaksinimin kundër koronavirusit. Deri më tash në këtë shtet janë vaksinuar 45 për qind e populates. Mali i Zi kaarritur t’I vaksinojë  41 për qind të popullsusë, Maqedonia e Veriut 38 për qind, Shqipëria 34 për qind dhe Bosnja e Hercegovina 21 për qind.

Të gjitha vendet e rajonit kanë nisur edhe dhënien e dozës së tretë dhe asaj përforcuese.

Më 25 nëntor, Komisioni Evropian ka propozuar që doza e tretë e vaksinës të jetë parakusht për udhëtim në Bashkimin Evropian për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky propozim pritet të hyjë në fuqi nga 10 janari i vitit të ardhshëm.

(r.m.)