Në Kosovë, nis gjykimi i parë në mungesë i të akuzuarve për krime lufte

Prishtinë, 20 nëntor 2023 – Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të cilën e drejtoi kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, si mbrojtës i Aksiqit është paraqitur Zharko Gajiq.

Prokurorja Habibe Salihu tha se i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim që të sigurohet prania e të akuzuarit, por kjo nuk është arritur.

“U vërtetua dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Çedomir Aksiq, në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, tani për tani të paidentifikuar, të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosjen e popullatës civile për shkaqet që lidhen me konfliktet e luftës, drejtuar me qëllim kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë”, tha Salihu derisa lexoi aktakuzën ndaj Çedomir Aksiqit.

Sipas aktakuzës, adresa e Aksiqit, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykimin ndaj tij, është në Naupare-Krushevac në Serbi, ndërsa vendi i lindjes është në Shtime.

“Në këto momente nuk do të shtoj asgjë derisa t’i shqyrtoj të gjitha provat në afat prej 30 ditësh”, tha mbrojtja e Çedomir Aksiqit, avokati Zharko Gajiq, pasi dëgjoi aktakuzën e lexuar nga prokurorja.

Në fund të seancës, gjyqtarja e rastit, Violeta Namani-Hajra, e udhëzoi mbrojtësin e të akuzuarit që të paraqesë kërkesën për të hedhur poshtë aktakuzën apo për t’i kundërshtuar provat, në një afat prej 30 ditësh.

Çka thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës, Çedomir Aksiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, vend midis fshatrave të Mulapolc, Reçak dhe Petrovë, në komunën e Shtimes.

Aktakuza thotë se ata më pas kishin djegur shtëpitë e të dëmtuarave duke u shkaktuar kështu dëme morale dhe materiale.

Sipas aktakuzës, në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Çedomis Aksiq e kishte ekzekutuar një person, familjen e të cilit paraprakisht e ndaluar.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak.

Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi. Aktakuza ndaj Çedomir Aksiqit, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishte ngritur më 4 maj të këtij viti.

Ky është rasti i parë i gjykimit në mungesë, me të cilin përballet gjykata në Prishtinë dhe lejohet me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Çka thotë Kodi i Procedurës Penale?

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Aty thuhet, po ashtu, se për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.

Çka prodhojnë gjykimet në mungesë?

Më herët nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë (FDH), ishin shprehur kundër aktakuzave dhe gjykimeve në mungesë.

“Edhe pse në fillim mund të duket që viktimat janë të kënaqura me drejtësinë, më vonë shumica e tyre zhgënjehen, sepse edhe në rastet kur dikush dënohet, kur e kuptojnë viktimat që ndoshta kryesi i krimit nuk do të prangoset, është një zhgënjim për viktimën”, ishte shprehur Bekim Blakaj nga FDH-ja.

Blakaj kishte shprehur edhe shqetësim për kohën që mund të marrë nisja dhe përfundimi i këtyre gjykimeve.

“Rreziku është se kanë kaluar më shumë se 24 vjet nga kryerja e krimeve të luftës. Në shumicën e rasteve, Prokuroria është mbështetur në dëshminë e dëshmitarëve, nuk është që ka pasur prova materiale ose mjekoligjore. Rreziku është që dëshmitarët të vdesin, ose ta humbin memorien”, kishte thënë ai.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se gjykimet në mungesë janë të rëndësishme për familjarët e viktimave, “që të zbardhen krimet dhe e vërteta”.

“Ata mund ta shfrytëzojnë pastaj të drejtën e kompensimit nga Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas ligjit dhe procedurës së paraparë”, thotë ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës deri tani ka ngritur gjashtë aktakuza për krime lufte me propozimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë dhe duke arsyetuar që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t’i gjetur të pandehurit.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

(REL)