Në Kosovë nis procesi i konstituimit të Kuvendit, por ende nuk dihet kush do ta sigurojë shumicën

Prishtinë, 10 prill 2025 – Sot (e enjte) nisi regjistrimi i deputetëve të përbërjes së re të Kuvendit të  Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 9 shkurt.

Ky process nisi me regjistrimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që doli e para në zgjedhje. Nesër (e premte) është parashikuar regjistrimi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa të hënën pritet tw regjistrohen deputetët e koalicionit AAK-Nisma dhe deputetët e subjekteve politike të komuniteteve.

Regjistrimi i deputetëve është hapi i parë i procesit të konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës. Ky është një proces formal që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, në të cilën pritet të zgjidhen Kryetari dhe 5 nënkryetarë të Kuvendit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 15 prill, por tash për tash nuk dihet nëse ky proces do të përmbyllet me sukses apo Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka paralajmëruar se po atë ditë do të hidhet në votim edhe qeveria e re, e cila do të udhëhiqet prej tij. Por, deri më sot nuk është e qartë nëse Vetëvendosje do të arrijë t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re.

Kjo parti i ka fituar 48 deputetë në përbërjen e re të Kuvendit 120 vendesh. Bashkë me partnerët e koalicionit të deritashëm, subjektet e komuniteteve joshumicë (pa atë të komuntetit serb), ajo mund t’i sigurojë më së shumti votat e 58 deputetëve, kështu që asaj i duhen edhe votat e më së paku të tre deputetëve të tjerë.

Tri subjektet shqiptare që janë renditur pas Vetëvendosjes pas zgjedhjeve parlamentare (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe koalicioni parazgjedhor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma Socialdemokrate) janë deklaruar kundër hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen, por as ato nuk mund ta sigurojnë shumicën e nevojshme pa votat e subjekteve politike të serbëve dhe atyre të komuniteteve joserbe.

Në qoftë se procesi për formimin e qeverisë futet në ngërç, është e paevitueshme shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sidoqoftë, Vetëvendosje do t’i ketë në dispozicion për sigurimin e shumicës 15 ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga Presidentja e vendit. Pas shterimit të këtij afati, mandati për formimin e qeverisë mund t’i kalojë partive opozitare që besojnë se mund ta sigurojnë shumicën.

Për të mos shkuar çështja deri këtu, është e mundur që së paku tre deputetë të subjekteve që s’duan të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen të votojnë individualisht për formimin e qeverisë së re, pavarësisht prej qëndrimit të partive të tyre, dhe kështu të parandalojnë shpërbërjen e Kuvendit dhe të shmangin zgjedhjet e jashtëzaskonshme.

Kjo ka ndodhur së paku një herë, kur Hashim Thaçit ishte zgjedhur President i Kosovës. Asokohe, Thaçi ishte votuar nga disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët e kishin shpëtuar vendin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*