Në Kosovë nis procesi për hapjen e fabrikës për prodhim të municioneve

Prishtinë, 27 nëntor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se kanë nisur procesi për hapjen e një fabrike për prodhimin e municioneve dhe të laboratorëve për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.

Të mërkurën, në fillim të mbledhjes së Qeverisë, Kurti bëri të ditur se është nënshkruar vendimi për themelimin e një komisioni ndërministror që ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e këtij procesi.

Ai tha se ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.

“Për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, kemi pranuar një raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë. Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti”, tha Maqedonci, në një konferencë për media.

Ai shtoi se municionet e prodhuara se do të jenë sipas standardeve të NATO-s.

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

Se sa dronë ishin blerë, nuk ishte bërë e qartë atë kohë.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025 është paraparë të jetë 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

Sot në Kosovë shënohet Dita e Forcës, që simbolizon themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo forcë u themelua më 1 janar të vitit 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

FSK-ja është aktualisht në proces të transformimit në ushtri të rregullt. Deri në fund të këtij procesi, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht.

Në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Maqedonci tha se iniciativa e fundit është pjesë e fazës së dytë të procesit të transformimit të FSK-së në ushtri të rregullt.

“Ne së bashku me komandantin e FSK-së jemi të përkushtuar që planin për tranformimin e FSK-së ta arrijmë brenda afateve kohore”, tha Maqedonci.

(Radio Evropa e Lirë)