Prishtinë, 17 shtator 2024 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të martën se gratë luajnë rol thelbësor për zgjidhjen e konflikteve dhe për sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, por ato vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në procese të tilla.
Ai i bëri këto komente gjatë ceremonisë hapëse të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
“Zëri i grave vazhdon të jetë i margjinalizuar në diskutime dhe vendime thelbësore për paqen dhe sigurinë si dhe përballet me pengesa si diskriminimi i vazhdueshëm i cili mbetet i pranishëm e mbase edhe rritet. Pikërisht këtu vjen në shprehje kjo qendër e ekselencës. Me mbështetjen e zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit për çështje globale të grave dhe me udhëheqjen e fortë të Kosovës, kjo qendër duhet të shërbejë dhe jam i bindur se do të shërbejë si themel i bashkëpunimit, një vend ku qeveritë, shoqëria civile, akademia dhe partnerët ndërkombëtarë bashkohen për të krijuar strategji dhe për të arritur përparim të vërtetë dhe të qëndrueshëm”, tha ambasadori amerikan.
Drejtoresha e Institutit Georgetoën për Gratë Paqen dhe Sigurinë, Melanne Verveer, tha se kjo qendër paraqet një mundësi të rëndësishme për të forcuar përpjekjet e përbashkëta për një përfshirje më të gjerë të grave në procese që ndërlidhen me paqen dhe sigurinë.
“Ne në Institutin Georgetoën për Gratë Paqen dhe Sigurinë jemi shumë të kënaqur që kemi mundësinë të jemi partner në këtë nismë të rëndësishme për të forcuar zbatimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në rajon duke marrë nga përvojat më të mira duke përfshirë këtu mësimet e nxjerra nga qeveria, shoqëria civile dhe hulumtuesit në Kosovë”, tha ajo.
Marrëveshja për themelimin e kësaj qendre u nënshkrua në prill të këtij viti ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësueses së zyrës për Çështje Globale të Grave në kuadër të Departamentit amerikan të Shtetit, Katrina Fotovat, gjatë punimeve të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Forumi i cili zhvilloi edicionin e dytë këtë vit në Prishtinë, është një zotim që Kosova mori në kuadër të Samitit për Demokraci në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021.
Organizimi i këtij forumi në vitet e ardhshme do të jetë një nga detyrat kryesore të qendrës rajonale për gratë paqen dhe sigurinë, krahas punëtorive, trajnimeve dhe veprimtarive të tjera që synojnë të fuqizojnë gratë në Kosovë e rajon
(Zëri i Amerikës)