Në Kosovë normalizohet furnizimi me energji elektrike

Prishtinë, 1 shtator 2022 – Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike të Kosovës (KEDS) ka hequr kufizimet në furnizimin me energji elektrike, pas kthimit në funksion të blloqeve B2 dhe A3 të termocentraleve të Kosovës.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur më 1 shtator se në këto blloqe ka përfunduar remontin dhe ato tani prodhojnë rreth 390 megavat-orë energji.

“Aktualisht, KEK ka në funksion të prodhimit katër blloqe: A3, A4, B1 dhe B2, të cilat në total prodhojnë afro 800 megavat në orë”, thuhet në njoftim.

Si KEDS, ashtu edhe Ministria e Ekonomisë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar dimër të vështirë, për shkak të krizës energjetike që e ka përfshirë Evropën.

Kosova ishte prekur nga kriza energjetike edhe vitin e kaluar, andaj konsumatorët janë përballur me reduktime të energjisë dhe me tarifa më të shtrenjta.

Dy termocentralet e Kosovës, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojnë deri në 800 megavat-orë energji, kurse nevojat e konsumatorëve arrijnë deri në 1.300 megavat-orë, gjatë dimrit.

Rreth 94 për qind e energjisë në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet e ripërtërishme: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

(r.m.)