Prishtinë, 1 shkurt 2023 – Tri partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie me vlerën e koeficientit të pagave në sektorin public, të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës vendosi sot që vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 të jetë 105 euro.
Pagat e punëtorëve të sektorit public në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga 1 me 18.
Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partia e tij është e zhgënjyer me vlerën e koeficientit dhe e quajti atë “koeficient të mjerimit”. Sipas tij kjo vlerë e koeficientit e thellon më shumë varfërinë në Kosovë.
“Ky koeficient i demotivon të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës”, tha ai.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se koeficienti i pagave nuk e adreson as për së afërmi çështjen e inflacionit.
“Koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit që ndodhi këto dy vjet, ku jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës është bërë ferr”, tha ai.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, Qeverinë Kurti e quajti “qeveri të mashtrimeve”.
“Nuk po mendoni për qytetarët”, tha ajo, duke shtuar se është dashur që për këtëçështje të ketë diskutim public dhe vldera e koeficientit të mbahet e fshehtë.
“Në këtë gjendje ekonomike dhe sociale nuk ju ndihmoni qytetarëve”, ka deklaruar Kadrijaj.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, tha se Qeveria “ka bërë punë të jashtëzakonshme” me miratimin e Ligjit të pagave dhe caktimin e koeficientit”. Ajo tha se me këtë Ligj mundësohet trajtim i barabartë i punonjësve të sektorit publik dhe se koeficienti prej 105 eurosh “është bazë, pa llogaritur shtesat”.
Pasi deputetët e opozitës e lëshuan sallën, seanca e Kuvendit u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit.
Ligji i ri i pagave në Kosovë do të hyjë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Ligji, i cili është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e përcakton vlerën e koeficientit, por e përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.
Vlera e koeficientit që u përcaktua sot nga Qeveria e Kosovës nuk do të jetë e pandryshueshme. Nga janari i vitit të ardhshëm vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.
Sektori publik në Kosovë ikarreth 83 mijë punonjës.
(r.m.