Në Kosovë paralajmërohet mbyllje e lokaleve të gastronomisë

Prishtinë, 3 prill 2021 – Kosova mund të mbyllë për disa ditë punën e lokaleve të gastronomisë për shkak të përpjekjeve për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit të ri.

Arian Vrainca nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se në takimin e së shtunës me ministrinë e shëndetësisë, Arben Vitia është diskutuar për mbyllje të lokaleve të gastronomisë nga data 06 deri më 18 prill.

Ai tha se nuk janë pajtuar me këtë mbyllje, pasi që kanë dëme të mëdha te bizneset, por do ta shqyrtojnë këtë propozim edhe të hënën në Këshillin e Shoqatës së Gastronomëve.

“Nuk jemi pajtuar, mirëpo kishte zotim nga ministri i financave Hekuran Murati i cili theksoj për mbështetje financiare të shpenzimeve fikse (gjysëm-qiratë dhe gjysëm-rrogat e punëtorëve), andaj duhet të shqyrtojmë edhe propozimin për të cilin do të mblidhet këshilli i shoqatës të hënën”, tha Vrainca.

Gjatë periudhës së fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirusin e ri.

Edhe, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se do të ketë masa kufizuese edhe përkundër kundërshtimit të bizneseve që ato të mbyllen.

“Masat do të jenë të kufizuara në kohë: 12 dite. Krahas vendimit për masa të reja kufizuese, do të miratohet vendimi për përkahje financiare të bizneseve që preken nga masat e reja”, ka shkruar Rukiqi.

Të shtunën janë regjistruar edhe 12 raste të vdekjes nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusit i ri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 777 raste të reja me COVID-19, nga 4.143 mostra të testuara. Bazuar në këto shifra, nga numri i testimeve të kryera, 18 për qind kanë rezultuar pozitive. Nga sëmundja janë shëruar edhe 566 pacientë ndërsa raste aktive janë 14.101.

Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të shtunën se 856 pacientë po trajtohen në klinikat dhe spitalet rajonale të Kosovës.

Sipas njoftimit, 727 pacientë janë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, ndërsa 129 persona janë të dyshuar, në pritje të rezultateve.

Me gjendje të rënduar shëndetësore janë 33 pacientë ndërsa 682 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

(REL)