Në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale

Prishtinë, 17 tetor 2021 – Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për anëtarë të asambleve komunale.

Në orën 7:00të mëngjesit gjithandej Kosovës janë hapur 883 qendra votimi, me 2 mijë e 477 vendvotime.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente që mund të pengojnë ose ta diskreditojnë procesin zgjedhor.

Por, në orët e para të procesit është regjistruar pjesëmarrje ulët e votuesve në zgjedhje. KQZ bëri të ditur se deri në orën 11:00 në zgjedhje kanë votuar vetëm 8.2 për qind e votuesve. 

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në garë për kryetarë të komunave të Kosovës janë 166 kandidatë, ndërsa në garë për asamblistë në kuvendet e komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.

Procesin e votimit po e vëzhgojnë rreth 25 mijë vëzhgues të vendit e ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë i kanë angazhuar mbi 200 vëzhgues të procesit zgjedhor.

Për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe për parandalimin e keqpërdorimeve po kujdesen mbi 3,300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës.

Zgjedhjet e sotme në Kosovë shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe për Lëvizjen Vetëvendosje që dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.

Sondazhet e publkuara javën e fundit flasin për një garë të fortë. Sipas këtyre songazheve, pothuajse në asnjë prej komunave më të mëdha të Kosovës kryetarët nuk do të zgjidhen në raundin e parë, kështu që pritet që në shumicën prej tyre të zhvillohet edhe një raund tjetër midis dy kandidatëve më të votuar në raundin e parë.

(r.m.)