Në Kosovë, procedohet për ndryshime Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme

Prishtinë, 2 prill 2021 – Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës bashkë me komunitetet joserbe, e ka proceduar për plotësime e ndryshime Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Kryesia e Kuvendit e ka miratuar kërkesën e shumicës parlamentare, përkundër kundërshtimit të përfaqësuesve të partive opozitare.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në një konferencë për media, ka thënë se ky grup ka bërë kërkesë zyrtare që ndryshimet në këtë ligj të bëhen me procedurë të përshpejtuar.

Ajo ka treguar se ndryshimet e propozuara kanë për qëllim që votuesve jashtë vendit t’u mundësohet votimi në ambasadat e konzullatat e Kosovës.

Zonja Kusari-Lila ka thënë se procedimi i ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ka qenë “premtim elektoral”.

Partitë opozitare janë shprehur kundër ndryshimit të këtij ligji me procedurë të shpejtuar, me arsyetim se ligjet si ky duhet të miratohen pas konsultimeve të gjera me të gjitha subjetet politike, me institucionet e pavarura dhe më shoqërinë civile.

Por, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ndryshimi i këtij ligji bëhet çështje e ngutshme, sepse dështimi eventual i votimit për zgjedhjen e presidentit të vendit i bën të pashmangshme zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit, është e pashmangshme shkuarja në zgjedhje”, ka thënë Kusari – Lila.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që është në fuqi, votuesit kosovarë jashtë vendit mund të votojnë përmes postës, proces ky që është shoqëruar me kritika e debate në fazën e aplikimit dhe atë të verifikimit të votuesve.

(r.m.)