Prishtinë, 15 prill 2021 – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës njoftoise sektori i gastronomisë në Kosovë do të rifillojë punën më 19 pril.
Ky njoftim u publikua pas një takimi të përbashkët të kryetarëve të komunave me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Kemi bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomeve për të punuar rreth qasjes dhe punës së sektorit të gastronomisë në të ardhmen dhe aktiviteti i tyre do të rifillojë nga data 19 prill 2021 duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.
Ministri i Shëndetësisë Vitia ka thënë se vendimet e Qeverisë së Kosovës merren duke u bazuar në rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë, më saktë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më COVID 19 dhe hapësira e tyre është afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe me 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19”, ka thënë ministri Vitia.
Masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, të cila janë në fuqi nga 7 prilli, përfshijnë pezullimin e veprimtarisë së shërbimeve të gastronomisë, përveç shërbimeve ‘merr me vete’ dhe shërbimeve me porosi.
Me këto masa është ndaluar veprimtaria e qendrave tregtare të mbyllura, përveç veprimtarisë së shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.
Masat përfshijnë edhe kufizimin e qarkullimit prej orës 22:00 e deri në 5:00, përveç në raste urgjente.
Këto masa do të jenë në fuqi deri më 18 prill.
(r.m.)