Prishtinë, 7 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në Prishtinë se është koha e fundit që të dokumentohen e njihen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit gjatë asaj periudhe.
Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë takimit të parë të grupit të punës për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.
“Edhe sot 22 vjet pas luftës nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit tonë. Po, kemi shifra të ndryshme në të cilat thirremi, por dëmi i shkaktuar është shumë më i madh, thjeshtë nuk e kemi matur. Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak si duhet për këto vite”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dokumentimi i krimeve ka rëndësi thelbësore për vënien në vend të drejtësisë.
“Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në krijimin e kujtesës kolektive, në ndjekjen penale të autorëve të krimeve, në identifikimin e viktimave për të kërkuar dëmshpërblime, në planifikim më të saktë e të drejtë të memorialeve, në rishikimin e teksteve shkollore dhe për më tepër kontribuon në krijimin e një kulture të re ku të drejtat e njeriut respektohen”, tha zonja Haxhiu.
Një institut i ngjashëm në Kosovë, ishte themeluar në vitin 2011, ndërsa u shua me vendim të qeverisë në vitin 2018, me idenë që detyrat e tij t’i kryente divizioni për drejtësi tranzicionale në kuadër të Ministrinë e Drejtësisë.
Zonja Haxhiu tha se për dallim nga Instituti i kaluar, që ishte themeluar me vendim, i riu do të themelohet përmes ligjit dhe do të ketë linjë të posaçme buxhetore, që garanton jetëgjatësi dhe përmbushje të synimeve të këtij institucioni.
“Kemi qenë vazhdimisht në kontakt me qytetarë, me organizata të ndryshme, të cilët disa në mënyrë vullnetare tash e sa vite kanë mbledhur dëshmi dhe fakte, kanë bërë hulumtime, botuar libra, për të mos i lënë në harresë e të padokumentuara krimet e kryera në Kosovë, e për më tepër për të përmbushur një detyrim që institucionet tona deri tash nuk e kanë kryer”, tha ajo.
Në përpjekje të dokumentimit të rrjedhës historike deri te lufta në Kosovë si dhe të ngjarjeve të kohës së luftës, Instituti për Drejtësinë, të Vërtetën dhe Paqen publikoi të hënën raportin me titull “Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake humanitare e NATO-s në vitin 1999”.
Muharrem Mustafa nga ky institut tha se ka mungesë të thellë të të dhënave për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë në periudhën para dhe gjatë luftës, por ka edhe shumë të dhëna jo të sakta.
“Ky publikim argumenton faktin se gjenocidi ka filluar dhe është realizuar përmes shkatërrimit ekonomik, rrezikimit të sigurisë kolektive dhe individuale, shkatërrimit te trashëgimisë kulturore, sistemit arsimor, gjuhës shqipe, kufizimit të lirisë, shkatërrimit të sistemit shëndetësor dhe që ka kulmuar me vrasje masive, masakra dhe shkaktim të dëmtimit të rëndë trupor e mendor, përdhunime, plaqkitje, shkatërrim të pasurisë, spastrim etnik dhe të tjera”, tha ai.
Zoti Mustafa tha se në këtë hulumtim përmes përshkrimit të rrjedhës së saktë të ngjarjeve, vërtetohet se ndërhyrja e NATO-s ka qenë e domosdoshme për të ndalur gjenocidin në Kosovë.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Ndërkaq edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1641 personave, shumica dërmuese të përkatësisë kombëtare shqiptare.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)