Prishtinë, 10 janar 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli lansuan të premten Parakualifikimin e Projektit për Ruajtjen e Energjisë me Bateri, të cilat do të vendosen në Ferizaj dhe në Istog.
- Kurti tha se projektet e baterive do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në stabilizimin e sistemit elektro-energjetik në Kosovë, uljen e kostos së importit të energjisë, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji për amvisëritë dhe bizneset si edhe hapjen e rrugës për integrim të energjisë nga burimet e ripërtëritshme në sistemin energjetik të vendit.
“125 MW të këtij sistemi do të operojnë nën Korporatën për Ruajtjen e Energjisë dhe 45 MW të tjera nën KOSTT-in që do të përdoret për balancim të rrjetit – të dyja këto ndërmarrje publike, të dyja në shërbim të vendit e të qytetarëve”, tha ai.
Kurti e theksoi rëndësinë e Instrumentit të Katalizatorit Amerikan për Zhvillim në kuadër të Programit Kompakt, i cili hap rrugë për financimin e projekteve që përqafojnë ekonominë e gjelbër dhe inovacionin. Ai tha se Programi Kompakt, i cili është financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) me 202 milionë dollarë dhe nga Qeveria e Kosovës me 34.7 milionë dollarë, është një investim i madh në pavarësinë dhe në qëndrueshmërinë energjetike në Kosovë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për bizneset dhe sipërmarrësit tanë, një thirrje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të fuqishme për Kosovën”, tha Kurti.
Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe për besimin në vizionin e Qeverisë së Kosovës për sektorin energjetik.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se diversifikimi i burimeve të energjisë së pastër si edhe rritja e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë janë objektiva kryesire të strategjisë në sektorin e energjisë në Kosovë. Ajo tha se këto objektiva do të realizohen edhe përmes programit Kompakt dhe sistemit të baterive.
“Rruga jonë drejt tranzicionit energjetik të vendit është e qartë. Diversifikimi i burimeve të energjisë së pastër dhe rritja e kapaciteteve për ruajtje dhe furnizim të energjisë, së bashku me decentralizimin e rrjetit dhe kapaciteteve në menaxhimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, do të mundësohen përmes programit Kompakt dhe sistemit të Baterive. Furnizimi i sigurt me energji, kostot më të përshtatshme së bashku me uljen e ndikimit në mjedis, janë edhe synim i strategjisë kombëtare për Energji dhe veprim i vazhdueshëm i politikave të qeverisjes sonë”, tha ministrja Rizvanolli.
(r.m.)