Prishtinë, 21 janar 2024 – Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, u nderua në Kosovë të dielën, në 18 vjetorin e ndarjes nga jeta.
Liderët e institucioneve shtetërore bënë homazhe të varri i Rugovës dhe shprehën ndjenjat më të thella të nderimit e mirënjhohjes për udhëheqjen shembullore të popullit të Kosovës në rrugën e lirisë, pavarësisë e demokracisë në Kosovë dhe për ndërtimin e urave të miqësisë dhe aleancës me botën demokratike, në krye me SHBA-të.
Nën patronazhin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore, ku u vlerësuan tiparet e Rugovës si njeri, si shqiptar, si intektual e krijues dhe si prijës e vizionar.
Presidentja Osmani e citoi vargun ‘Unë biri yt, Kosovë” të poetit të madh Ali Podrimja që shpreh lidhjen e thellë shpirtërore të Rugovës me vendin, popullin e vlerat kombëtare e njerëzore.
“Asgjë nuk mund ta tipizonte Presidentin Rugova më mirë e më thellë sesa shprehja ‘Unë biri yt, Kosovë”, e cila e lidhë me vendin, me popullin, me vlerat e trashëgimisë, si dhe me përkushtimin për ta krijuar shtetin e ruajtur lidhjen me aleancën euroatlantike”, tha ajo.
Presidentja Osmani solli në kujtesë edhe vlerësimin e klerikut e intektualit të madh At Zef Pllumi se Presidenti Rugova ishte “ma i dituni e ma i urti i të gjithëve”.
“Nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm e më të thellë për karakterin e një Presidenti, i cili nuk ishte vetëm President, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën e trashëgiminë e vendit të vet; njeri i dijeve, i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshme trashëgiminë e popullit të vet; prijës nga ata që, sikur thoshte at Zef Pllumi, ishte ‘ma i dituni e ma i urti i të gjithëve’”, tha ajo.
Presidentja Osmani shprehu vlerësime kulmore për Rugovën si mendimtar politik dhe si prijës popullor.
“Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë. Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme. Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”, tha Presidentja Osmani.
“Në personalitetin e Dr. Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj. Sa më shumë e ka njohur historinë e popullit të tij, ai e ka njohur dhe kultivuar edhe filozofinë e popullit të tij. Sa më shumë e ka kultivuar ndjenjën e refuzimit si koncept filozofik, aq më shumë e ka njohur e kultivuar sjelljen e urtë e të matur, por jashtëzakonisht të vendosur; sprovat për të kanë qenë provë qëndrueshmërie, sa më shumë është sprovuar në jetë, në politikë e në letra, është bërë aq më i durueshëm, e më këmbëngulës. Ai fliste shkurt, por fjalët i kumbonin shumë. Jehona e tyre u ndie larg, dhe atë jo vetëm në Kosovë. Ai e rizgjoi ndjenjën kombëtare e ndjenjën për liri dhe bashkoi një popull të tërë rreth kësaj kauze. Mbase poezia “Unë biri yt, Kosovë”, poezia që na kujton se dashuria për atdheun është e pafund, mund të mbante sot edhe një titull tjetër: Ne bijtë e bijat e tu, Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë”, theksoi ajo.
Presidentja Osmani theksoi gjithashtu Kosova do të vazhdojë të ngritet në themelet e shtetit të Kosovës që i projektoi dhe i vendosi Presidenti Rugova.
“Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme. Roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejt lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euro-atlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë. Vdekja e tij, në datën e acartë të 21 janarit të vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën e veprës së tij e kumbimin e përhershëm të personalitetit të tij. Përkundrazi, sot ai është fanar që na udhëheq teksa punojmë për mirëqenien dhe suksesin e vazhdueshëm të vendit tonë dhe popullit tonë”, u shpreh ajo.
Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe te varri i Rugovës, bashkë me Presidenten Osmani. Ai e vlerwsoi lart rolin dhe kontributin e Rugovws në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
“Sot në 18 vjetorin e ndarjes nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Si shkrimtar dhe si kritik letrar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore në vitet e 90’ta”, deklaroi ai.
Kurti e vizitoi edhe familjen e Presidentit Rugova. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, bëri të ditur se Kurti ka njoftuar se së shpejti do të nisin punimet në restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova.
“Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot”, njoftoi Kryeziu në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Ibrahim Rugova i ka dhënë përmbajtje dhe formë aspiratës shekullore të popullit tëe Kosovës për liri e pavarësi.
“Ishte prijës i popullit të Kosovës në përpjekjen sublime për shtet e pavarësi e formësojë këtë shtet në përmbajtje dhe formë dhe krijojë unitet nacional, krijojë mbështetje ndërkombëtare në këtë rrugëtim historik të popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
“Projekti i tij i një Kosove të pavarur e sovrane, të anëtarësuar në NATO dhe BE, e me miqësi të përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është projekt i yni edhe sot dhe me këtë projekt kjo gjeneratë politike ndjen obligim në përmbushje të plotë”, theksoi ai.
(r.m.)