Në Kosovë vazhdon greva e mësimdhënësve, s’ka marrëveshje mes qeverisë e sindikatës

Prishtinë, 11 shtator 2022 – Në Kosovë nuk ka filluar ende viti i ri shkollor, i cili duhet të fillonte më 1 shtator.

Të dielën ka dështuar edhe një përpjekje për arritjen e një ujdie midis sindikatës së mësimdhënësve dhe qeverisë, sepse të dyja palët janë barrikaduar në pozicionet e tyre. E para nuk heq dorë nga kërkesa e rritjes së pagës së arsimit për 100 euro, kurse e dyta pas premtimeve se rritja e pagave për mësimdhënësit do të bëhet me miratimin e ligjit për pagat e të gjithë punëtorëve të sektorit publik.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK) njoftoi se të dielën, në takimin e jashtëzakonshëm me kryetarë të kuvendeve komunale të sindikatave të arsimit parauniversitar, është vendosur për vazhdimin e grevës.

“Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë”, thuhet në njoftimin e BSPK-së.

Por, Qeveria e akuzon organizatën sindikale të arsimit për mungeë gatishmërie, siç thuhet, “për të ecur përpara”

“Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për të ecur përpara”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai i ka hedhur poshtë akuzat e udhëheqjes së sindikatave se kryeministri Kurti po refuzon të dialogojë me sindikatën për gjetjen e zgjidhjes. 

“Deri tani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i stafit të kryeministri janë takuar të paktën dhjetë herë me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka mbajtur katër takime me përfaqësues të sindikatave, përfshirë ata të BSPK-së. Ministri i Shëndetësi, Rifat Latifi, ka pasur të paktën katër takime me përfaqësues të degëve sindikale, përfshirë BSPK-së. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pasur gjashtë takime me sindikatat e Policisë, Zjarrfikësve, Infermierëve dhe Arsimit. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci tetë herë është takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka cilësuar të papranueshme situatën e krijuar nga greva. Ai ka thënë se shumë nxënës kanë filluar të çregjistrohen nga shkollat publike.

“Kjo situatë e përsëritur për të satën herë, në momentin më të rëndë të arsimit në Kosovë, është tërësisht e papranueshme dhe e paarsyeshme, e cila po dëshmohet edhe me çregjistrime të përditshme të nxënësve nga shkollat publike”, thuhet në reagimin e këtij këshilli .

Këshilli i Prindërve ka bërë disa rekomandime për zbutjen e pasojave të grevës për nxënësit.

–              Të kërkohet furnizimi me libra i të gjithë fëmijëve përmes prindërve nga të gjitha shkollat në Kosovë qysh nesër (më 12 shtator);

–              Prindërit të fillojnë takime të rregullta ditore nëpër hapësirat shkollore ose kudo është e mundur, me qëllimin e vetëm marrjen e veprimeve për t’i dalë në ndihmë fëmijëve të tyre;

–              Prindërit të fillojnë të punojnë me fëmijët e tyre përmes platformave digjitale në internet të ofruara nga MASHT, Youtube, eShkollori e të tjera;

–              Prindërit të koordinohen dhe bashkëpunojnë me mësimdhënësit që duan të zhvillojnë mësim në distancë përmes platformave në internet për ta realizuar sa më mirë procesin mësimor;

–              Në shkollat ku është e mundur, ditëve në vijim prindërit t’i çojnë për një orë fëmijët për t’u takuar me shokët e shoqet e klasës;

“I lusim edhe të gjithë vullnetarët që kanë kapacitete për të ndihmuar mësimin në distancë të kontaktojnë me Këshillin e Prindërve të Kosovës ose këshillat e prindërve nëpër komuna ose shkolla”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Këshillit të Prindërve.

(r.m.)