Prishtinë, 23 maj 2024 – Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues (IVF), për shkak të mungesës së deputetëve gjatë votimit në seancën e të enjtes.
Votimi për këtë projektligj ka ngecur tash disa muaj tek amendamenti i katërt, i propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Korenica. Në këtë amendament kërkohet që nga projektligji të hiqen tre paragrafë ku e drejta për riprodhim, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas), u njihet edhe individëve. Në emërtimin individë përfshihen gratë e pamartuara dhe partnerët e gjinisë së njëjtë.
“Vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë për të vendosur me vullnetin e tyre për të pasur fëmijë dhe assesi individi apo gruaja e pamartuar duke ia mohuar të drejtën fëmijës të ketë baba edhe nënë”, ka thënë Korenica.
Në tetor të vitit të kaluar, Kuvendi kishte arritur ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj që, në versionin e miratuar, ua mundëson edhe grave të pamartuara të lindin fëmijë përmes fertilizimit të asistuar në klinikat publike.
Sipas versionit të projektligjit të miratuar në lexim të parë, të drejtën e fertilizimit përmes IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara mbi 18 vjeç, të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për përkujdesje prindërore”.
Ky projektligj, si i tillë, kundërshtohet ashpër nga një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të pozitës ashtu edhe të opozitës.
(r.m.)