Në Kuvendin e Kosovës dështon votimi i projektligjit për pagën minimale

Prishtinë, 6 qershor 2022 – Në Kuvendin e Kosovës të hëhën dështoi votimi për projektligjin për pagën minimale.

Ky projektligj që synon rritjen e pages minimale nuk u hodh në votim për shkak se nuk pati kuorum të mjaftueshëm për miratim.

Deputetët e opozitës – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – nuk arritën të çojnë përpara mocionet për shtyrjen e votimit të projektligjit, prandaj e lëshuan sallën, prandaj votimi u pamundësua.

Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se këtë shtyrjen e votimit të projektligjit e bën të pashmnagshme protesta e veteranëve të luftës së UÇK-së, të cilët kërkojnë që  këto kategori të përfshihen në projektligj.

“Ne nuk jemi për të tensionuar situatën, por për të zgjidhur probleme. Kërkojmë që të shtyhet, të mos votohet fare në këtë pikë”, tha Tahiri.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet, Armend Muja, tha se ky legjislacion synon të adresojë problemet e asaj pjese të shoqërisë që paguhen më pak se veteranët.

“Paga minimiale është instrument i tregut të punës. Ky prioritet i dedikohet vajzave dhe djemve që punojnë dhe e kanë pagën mes 130 deri 170 euro. Ne po themi fillimisht na lejoni që të adresohen kushtet e jetesës të kësaj shtrese shoqërore që paguhen shumë më pak se sa veteranët”, tha Muja.

Projektligji i propozuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagës minimale kundërshtohet nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët protestuan para Kuvendit të Kosovës. Ata kundërshtojnë mospërfshirjen e pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.

Projektligji për pagën minimale, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Qeveria thotë se çështja e pensioneve të veteranëve të luftës së UÇK-së do të rregullohet me ligj të veçantë.

Problemi i pensioneve të veteranëve të luftës së UÇK-së është më i hershëm. Ai e ka zanafillën në procesin e njohjes së statusit të veteranit, i cili përfshin edhe beneficione të tjera, përveç pensionit. Ky status u është njohur mbi 65 mijë personave, numër ky që konsiderohet shumë më i lartë se sa numri i veteranëve të vërtetë.

(REL)