Në Mal të Zi, DPS bën kallëzim penal kundër Presidentit Milatoviq

Podgoricë, 2 shtator 2023 – Partia Demokratike e Socialistëve (Demokratska Partija Socijalista – DPS) në opozitë ka bërë kallëzim penal kundër presidentit të Malit të Zi Jakov Milatoviq, raporton Televizioni Publik i Malit të ZI.

Në njoftim thuhet se Millatoviq, kur ka qenë ministër në Qeverinë e Malit të Zi, “nuk i ka raportuar veprat penale me elemente të përfitimeve pasurore të kundërligjshme, për të cilat ka marrë vesh gjatë kryerjes së detyrës”.

DPS thotë se Milatoviq e ka njoftuar publikun për këtë më 30 gusht 2023, në një intervistë për Televizionin Publik.

Në kallëzim thuhet se Milatoviq ka pranuar se me vetëdije nuk i ka njoftuar organet kompetente se disa zyrtarë publikë kanë kryer vepra penale, ndonëse këtë ishte i detyruar ta bënte, si ministër në Qeverinë e Malit të Zi.

“Milatoviq, me deklaratën e tij, ka pohuar se ka qenë dëshmitar i veprave penale të cilat nuk i ka raportuar, kurse tani tregon me vonesë se ato janë kryer”, thekson DPS.

Në kallëzimin penal thuhet se Mijatoviq, duke vepruar kështu në mënyrë të vetëdijshme, u ka mundësuar autorëve të atyre veprave të mbeten jashtë mundësive të organeve të ndjekjes, kështuqë ka kryer veprën penale të moskallëzimit të veprës penale dhe të autorëve të tyre, siç parashihet në Kodin Penal të Malit të Zi.

Gjatë intervistës në Televizionin Publik të Malit të Zi, Milatoviq ka thënë se janë të sakta pretendimet se  nuk janë realizuar prritjet dhe se “kuadrat janë emëruar në bazë të lidhjeve familjare dhe se personat e punësuar nuk i kanë plotësuar kriteret”.

“Atëherë imagjinoni pas gjithë kësaj, kurse gjithçka është e vërtetë. E gjithë kjo është e vërtetë… Unë dua që procesi i rekrutimit partiak të punonjësve të reduktohet në një minimum të pranueshëm”, ka thënë Milatoviq.

(r.m.)