Në Mal të Zi i bllokohet xhirollogaria kompanisë së ambasadorit Berishaj

Podgoricë, 9 maj 2022 – Autoritetet në Mal të Zi kanë bllokuar të hënën xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting” në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, raportuan  mediat malaziase.

Sipas raporteve, bllokimi i xhirollogarive është bërë për shkak të një borxhi prej 31 mijë eurosh.

Mediet sllovene kanë raportuar se ambasadori Berishaj, përmes kompanisësë tij, ishte implikuar në një aferë të pastrimit të parave në shumë prej rreth 600 mijë eurosh. Ai dyshohet se nga një llogari bankare në Mal të Zi ka transferuar para në xhirollogaritë e politikanit slloven, Robert Golob.

Berishaj ka mohuar të ketë marrë pjesë në pastrimin e parave, por nuk ka shpjeguar se për çfarë mallrash apo shërbimesh është paguar nga filiali i një kompanie sllovene të energjisë dhe për çfarë ka paguar para në llogarinë e politikanit sllloven që pakditëmë pare doli fitues në zgjedhjet parlamentare në Slloveni.

Pas raportimeve të medies sllovene lidhur me dyshimet se Berishaj kishte bërë pastrim parash, opozita në Kosovë ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i ambasadorit në Zagreb. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kanë marrë në mbrojtje z. Berisha. Ata kanë thënë se presin që lidhur me këto raportime të deklarohen së pari organet e hetuesisë në Slloveni.

Por, opozita e ka cilësuar këtë si përpjekje të qeverisë që të shmangë përgjegjësinë lidhur me ambasadorin Berishaj, duke  kujtuar se ambasadorët kanë imunitet  diplomatik.

(r.m.)