Podgoricë, 2 mars 2022 – Disa dhjetra persona u tubuan të mërkurën në mbrëmje para ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi, në Podgoricë prej nga iu shpreh mbështetje operacioneve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.
Protestuesit mbanin një afishe të gjatë rreth 10 metra në të cilën serbët në Mal të Zi krahasohen me rusët në Ukrainë: “Serbët në Mal të Zi – Rusët në Ukrainë”.
Pjesëmarrësit e tubimit bartnin edhe flamuj të Rusisë e të Serbisë, si edhe lamuj të organizatës çetnike me simbolet e vdekjes dhe me mbishkrimin “Për mbretin dhe atdheun – liri ose vdekje”.
Nga tubimi i shprehej mbështetje Rusisë, përmes parullës “Lutju zotit dhe qëndro Rusi” dhe thirrjeve e brohoritjeve të harëpashershme të pjesëmarrësve.
Në tubim morën pjesë e anëtarë të organizatës së njohur pro-ruse “Ujqërit e natës”, e cila është mbështetet nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Manifestim mbështetjeje për Rusinë të mërkurën u mbajt edhe në qytetin e Nikshiqit, i cili gjendet në zonën kufitare me Bosnjën e Hercegovinën, pranë Republikës Srpska, e cila synon të shkëputet nga federata që përbëhet nga tri-entitete.
Në ditët e ardhshme, në Mal të Zi pritet të ketë edhe tubime dhe manifestime të tjera pro-ruse të partive, organizatave dhe asociacioneve pro-serbe e pro-ruse.
Megjithatë, në Mal të Zi dominojnë tubimet e solidaritetit me Ukrainën. Nga tubimet që janë mbajtur këto ditë në Podgoricë dhe në qytete të tjera është dënuar fuqishëm agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe është shprehur solidaritet i plotë me popullin ukrainas.
Mali i Zi i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, të cilat janë vendosur pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi, javën e kaluar, tha se politika e jashtme e Malit të Zi do të jetë në shërbim të interesit të vendit dhe të paqes në rajon dhe në botë.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, e ka kritikuar agresionin rus në Ukrainë. Ai ka thënë se veprimet e Rusisë përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në mbarë Evropën.
(Sipas Zërit të Amerikës)