Podgoricë, 7 shkurt 2023 – Komisioni Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi propozoi sot katër kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, përbërja e së cilës nëse miratohet nga parlamenti do të hapte rrugën për daljen nga kriza institucionale në të cilën ndodhet vendi ballkanik.
Në mesin e kandidatëve të propozuar për të cilët pritet të votohet në parlament me 27 shkurt, është edhe juristi nga Ulqini Faruk Resulbegoviq, i cili siguroi shumicën e thjeshtë të votave në mbledhjen e sotme të Komisionit Kushtetues.
Kryetarja e këtij komisioni, Simonida Kordiç, tha se në raundin e parë të votimit në parlament nevojitet një shumicë prej dy të tretash për të zgjedhur cilindo nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo nuk ndodhë, në raundin e dytë kërkohet një shumicë prej tre të pestave, përkatësisht 48 vota të parlamentit 81 vendesh.
Ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë, mirëpritën vendimin e Komisionit Kushtetues ndërsa i bënë thirrje parlamentit që të përmbyllë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të munguar të Gjykatës Kushtetuese.
Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale “është e nevojshme urgjentisht për funksionimin e demokracisë në vend dhe në interes të të gjithë qytetarëve. Kjo do të shënonte një hap të rëndësishëm për të dalë nga kriza kushtetuese dhe drejt reformave të nevojshme që do t’i lejojnë vendit të ecë përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në një reagim të ambasadorëve perëndimorë.
(1/4) Quint Ambassadors in 🇲🇪: “As representatives of Quint countries, we welcome the decision of the Parliament’s Constitutional Committee to propose candidates as judges of the Constitutional Court today.
— US Embassy Podgorica (@USEmbassyMNE) February 7, 2023
Që nga shtatori i vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi mbeti me vetëm tre anëtarë duke pamundësuar vendimet për ankesat kushtetuese, siç janë ato për ligjin e diskutueshëm për presidentin dhe proceset zgjedhore në të paktën dy komuna.
Në dhjetor të vitit 2022, parlamenti malazez miratoi një ligj që kufizon kompetencat e presidentit, për të bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa pasur nevojë për miratim nga presidenti. Ndryshimet u miratuan duke rënë ndesh edhe me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili i vlerësoi ato kundërkushtetuese.
Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara u kanë bërë thirrje vazhdimisht politikanëve malazezë që t’i japin fund boshllëkut në Gjykatën Kushtetuese madje Bashkimi Evropian paralajmëroi se mund të ketë një ndërprerje në negociatat e anëtarësimit nëse Gjykata nuk zhbllokohet.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)