Tiranë, 25 korrik 2021 – Forcat “RENEA” plagosën mëngjesin e sotëm 52 vjeçarin Ardjan Narkaj gjatë një operacioni për kapjen e përsonave të shpallur në kërkim policor. Ardjan Narkaj është dënuar nga gjykata me 21 vite burgim për vrasjen në vitin 2008, në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe, të dy bashkëfshatarëve të tij, krim të cilin ai nuk e ka pranuar gjatë procesit gjyqësor. Prej 10 vitesh Ardjan Narkaj ishte në listën e më të kërkuarve nga Policia e Shtetit, pasi akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”. Megjithatë, për një kohë të gjatë ai arriti t’i shpëtojë kapjes nga forcat e policisë, duke u fshehur në zonën malore të Malësisë.
Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit bëri të ditur se, gjatë operacionit policor të koduar “Bratoshi”, zhvilluar në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” forcat speciale RENEA kanë rrethuar vendin ku fshihej shtetasi në kërkim Ardian Narkaj dhe i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar. Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritur të policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë”.
52 vjeçari Narkaj ka marrë tre plagë nga armët e zjarrit dhe është dërguar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Që nga viti 2008, kur u arrestua, Ardjan Narkaj është gjykuar në të gjithë shkallët e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Një vit pas arrestimit, në maj të vitit 2009, Ardjan Narkaj u dënua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me 25 vite burgim për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, dënim ky që i zbriti në 16 vjet e 8 muaj burgim për shkak të aplikimit të nenit 406/1 të K. Pr. Penale, nga i cili ai përfitoi ulje me 1/3 e dënimit. Ndërkohë, gjykata vendosi edhe që, i pandehuri të vuante dënimin në një burg të sigurise së lartë.
Por, një vit më vonë, Gjykata e Apelit Shkodër vendosi ta hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe t’ja kthente çështjen për rigjykim po asaj gjykate, por me tjetër trupë gjykuese.
Çështja e Ardjan Narkajt u rikthye në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër një vit më pas, në prill të vitit 2011, ku e njëta gjykatë, por me një trupë tjetër gjykuese, vendosi “Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ardian Gjelosh Narkaj për kryerjen e veprës penale të vrasjes së shtetasit Tonin Ulaj, pasi sipas nenit 388/l/e të K. Pr. Penale, vepra është kryer në prani të një shkaku padënueshmërie. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Gjelosh Narkaj për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” ndaj shtetasit Gjergj Shotaj, parashikuar nga neni 83 i K. Penal dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim”. Gjithashtu, gjykata e dënoi Narkaj edhe me 16 muaj të tjerë burgim për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Përfundimisht Ardian Narkaj u dënua me 4 vjet e 10 muaj burgim, nga 16 vite e 8 muaj burgim që kishte dhënë një vit më parë po e njëta gjykatë. Gjithashtu, u ndryshua edhe vendi i kryerjes së dënimit nga burg i sigurisë së lartë, në një burg të sigurisë së zakonshme.
Por, në qershor të vitit 2012, Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin Nr. 124 vendosi ndryshimin e vendimit për të pandehurin Ardian Gjekë Narkaj duke e deklaruar atë fajtor për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim. Gjithashtu, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për masën e dënimit të caktuar ndaj tij për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Në përfundim të gjykimit, Ardjan Narkaj u dënua me 21 vjet burgim.
Një muaj pas këtij vendimi, Ardjan Narkaj paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prishjen e vendimit të gjykatës së Apelit Shkodër dhe lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila i zbriti atij dënimin në 4 vjet e 10 muaj burgim.
Në vendimin e datës 11 mars 2015, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimit Nr. 124 datë 20.06.2012 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër “është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural penal, pasi nga ana e Gjykatës së Apelit nuk është bërë një analizë e plotë dhe e gjithanshme e çështjes dhe se vendimi mbi përgjegjësinë e të gjykuarit Ardian Narkaj rezulton i paarsyetuar në të gjithë elementet e tij dhe provat e administruara në hetim dhe gjykimin në shkallë të parë”.
Këto vendime të njëpasnjëshme dhe kundërshtuese të gjykatave, në të gjithë nivelin e gjyqësorit para nisjes së Reformës në Drejtësi, janë pjesë e paqartësisë dhe problematikave në dhënien e drejtësisë dhe luftën kundër krimit në Shqipëri.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)