Në Maqedoninë e Veriut do të nisë vaksinimi masiv kundër COVID-19

Shkup, 30 prill 2021 – Në Maqedoninë e Veriut të premten kanë mbërritur 200 mijë vaksina kundër sëmundjes COVID-19 të prodhuesit kinez “Sinofarm”.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili ka shkuar bashkë me ambasadorin kinez, Xhao Sung, në Aeroportin e Shkupit, për të pritur dërgesën, ka thënë se së shpejti pritet të arrijnë edhe një dërgesë prej 500 mijë vaksinash “Sinovaks”, rreth 100 mijë doza të vaksinës “Sinofarm” dhe 26 mijë doza të vaksinës “Pfizer”.

Filipçe ka thënë se vaksinimi masiv i popullsisë do të nisë të martën, në Shkup dhe në gjashtë qytete të tjera. Sipas tij, në ditë pritet të vaksionohen prej 10 deri në 15 mijë persona.

“Gjithçka po shkon sipas parashikimeve dhe vaksinat po shpërndahen në mënyrë korrekte, sipas strategjisë së hartuar”, ka deklaruar ai.

Në Maqedoninë e Veriut deri të premten janë vaksinuar rreth 59 mijë persona, ndërsa mbi 207 mijë janë paraqitur për vaksinim.

Dy javët e fundit në Maqedoninë e Veriut është shënuar ulje e numrit të të infektuarve,prandaj qeveria ka miratuar edhe disa masa lehtësuese, përfshirë lejimin e punës së sektorit të gastronomisë në ambientet e hapura dhe shkurtimin e kufizimit të qarkullimit gjatë natës.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë koinfirmuar mbi 151 mijë raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, mbi 132 mijë janë shëruar, kurse 4.818 e kanë humbur jetën.

(r.m.)