Shkup, 24 prill 2024 – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë që nga mëngjesi i së mërkurës në rundin e parë të zgjedhjeve për president të ri të vendit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSZH), bëri të ditur për mbarëvajtje të procesit zgjedhor, pavarësisht disa pengesave të vogla teknike në disa qendra votuese. Qendrat e votimit u hapën në orën 07.00.
Sipas kryetarit të KSZH-së, Aleksandar Dashtevski, rreth 3.85 për qind e 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 09:00.
Ai i vlerësoi si të rregullta, por me disa probleme teknike të cilat janë shmangur me kohë, në orët e para të votimit.
Kandidati për president nga partia shqiptare Fronti Evropian, Bujar Osmani, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, pasi votoi në Çair të Shkupit tha se qytetarët duhet të zgjedhin mes dy opsioneve “integrimit apo izolimit të vendit” të Maqedonisë së Veriut.
“Uroj zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Unë mendoj që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë për shkak se shteti është në udhëkryq. Para nesh janë dy opsione dhe qytetarët duhet të vendosin për njërin prej këtyre opsioneve: integrimin apo izolimin”, u shpreh Osmani.
Sipas drejtuesve të qendrave të votimit, procesi zgjedhor në përgjithësi është i rregullt pa probleme të natyrave tjera.
“Procesi zgjedhore deri tani po zhvillohet në mënyrë të rregullt. Dy cikle zgjedhore jam pjesë e procesit votues dhe asnjëherë nuk ka pasur parregullsi. Besoj se në këto zgjedhje gjithçka do të jetë në rregull”, tha Benjamin Aliti, përfaqësues i KSHZ-së një qendër votimi.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një prononcim për media tha se deri më tani gjendja e sigurisë është stabile dhe nuk ka asnjë problem sa i përket procesit zgjedhor.
“Të gjithë sektorët e Policisë janë të pajisur nga ana teknike dhe njerëzore. Ministria e Brendshme po vepron sipas planit dhe po ecën ashtu siç duhet. Mendoj se dita e zgjedhjeve do të kalojë në mënyrën më të mirë”, tha Toshkovski.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.
Pritjet e qytetarëve nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut
Qytetarë të Maqedonisë së Veriut të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i takoi në qendrat e votimit të mërkurën, thanë se cilido prej shtatë kandidatëve që zgjidhet, presin që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit integrues, në luftimin e korrupsionit dhe të ndalë hovin e largimit të të rinjve nga vendi.
Teksa votuan për të zgjedhur presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, ata kërkuan po ashtu rritjen e cilësisë në arsim, në mënyrë që gjeneratat e reja me dijen e tyre të kontribuojnë për zhvillimin e vendit.
Velika Minovska, pensioniste nga komuna e Çairit në Shkup, e cila votoi bashkë me bashkëshortin e saj, tha për Radion Evropa e Lirë se me rëndësi të veçantë për të është që shteti të ecë para dhe të krijohen kushte për një jetë me dinjitet edhe për më të moshuarit.
“Po, votova me shpresë se do të bëhet më mirë, atë presim se do të vijnë ditë më të mira. Shpresojmë që vendi të ecë para dhe të ketë perspektivë për qytetarët. Një jetë me dinjitet edhe për ne më të moshuarit”, tha Velika Minovska.
Edhe Sunaj Iljazi rreth të 30-tave tha se nga zgjedhjet presidenciale pret që Maqedonia e Veriut t’i përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke mundësuar një standard më të mirë për gjenerata e reja.
“Të ketë më shumë punësime për të rinjtë. Të jemi një shtet që i ka institucionet me rregull, të besueshme”, tha ai.
Edhe Behar Memishi pohoi se nga presidenti i shtetit pret që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit të integrimeve për Maqedoninë e Veriut:
“Presim të zhbllokohet procesi (i integrimeve), këtë kërkesë kemi nga ai (presidenti i ri i shtetit)”.
Ndërkaq, Zllatko Ardirovski tha se nga presidenti i ri pret që të ndikojë në shtytjen para sa i përket luftës kundër korrupsionit.
“Pres që (presidenti i ri) të bëjë më shumë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin në nivele të larta, të insistojë në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbeten në Maqedoni (të Veriut) përmes ngritjes së cilësisë së arsimit. Kjo është ajo që pres nga presidenti i shtetit, i cili do të zgjidhet”, theksoi Zllatko Argirovski nga komuna Qendër e Shkupit.
Kandidatët për president
Në garë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).
Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë.
Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.
Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.
Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.
Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.
Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.
Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40 për qind.
Fushata elektorale ka zgjatur 20 ditë dhe është përcjellë me akuza të shumta mes kandidatëve.
Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së kutive të votimit në orën 19.00.
Ato, sikurse edhe në ciklet e kaluara zgjedhore, fillimisht do të publikohen nga shtabet e kandidatëve ndërsa KSHZ-ja do t’i publikojë më së voni deri nga mesnata e 24 prillit.
Nga KSHZ-ja kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, për të dëshmuar, siç kanë thënë, se Maqedonia e Veriut mund të organizojë zgjedhje sipas standardeve evropiane.
Në këtë drejtim kandidatët për president kanë nënshkruar edhe një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike, dhe për përmbajtje nga etiketimet dhe gjuha e urrejtjes.
Temat që kanë dominuar fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimet evropiane, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.
Këto zgjedhje njëherësh vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri më tani ka akredituar 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj dhe ndërkombëtarë, 51 përkthyes dhe 32 gazetarë të huaj.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu, do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
MPB-ja nuk ka bërë të ditur numrin e policëve të angazhuar në qendrat e votimit, por nga ky dikaster më herët kanë thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrjedhës së procesit në pjesën perëndimore të vendit.