Shkup, 5 prill 2021 – të hënë në Maqedoninë e Veriut ka filluar vaksinimi i qytetarëve që janë më të ekspozuar ndaj koronavirusit, për shkak të kontakteve të shumta që kanë me njerëz gjatë kryerjes së punës.
Në këtë kategori janë pjesëtarët e policisë dhe të ushtrisë, shoferët e transportit publik, edukatoret në kopshtet e fëmijëve, zjarrfikësit, gazetarët dhe disa profile të tjera.
Vaksinimi po zhvillohet në sallën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup me vaksinat ruse “Sputnik V”, të dhuruara nga Serbia .
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 4.000 persona pritet të vaksinohet në ditë, ndërsa më vonë rreth 7 mijë persona.
Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka miratuar propozimet e Komisionit për Sëmundje Infektive që ora policore të fillojë një orë më herët, në orën 20:00, dhe të zgjasë deri në 5:00 të mëngjesit. Kjo masë do të jetë në fuqi prej 6 prillit deri më 20 prill.
Me qëllim që të frenojë hovin e përhapjes së pandemisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim t’i mbyllë për dy javë lokalet dhe objektet gastronomike, bastoret dhe palestrat. Ky vendim do të hyjë në fuqi nga dita e mërkurë.
(r.m.)