Shkup, 16 janar 2022 – Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka vazhduar debati për zgjedhjen e qeverisë së re që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Sociale Demokrate.
Të dielën debati ka nisur me kontestimin e legjitimitetit të Kovaçevskit për ta formuar qeverinë e re. Deputetja e VMRO DPMNE-sënë opozitë, Bllagica Lasovska, ka thënë se Kovaçevski nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, prandaj nuk ka legjitimitet për ta drejtuar qeverinë.
Lasovska ka thënë gjithashtu se LSDM e ka humbur besimin e qytetarëve dhe kjo u dëshmua në zgjedhjet lokale disa muaj më parë.
Ajo e ka kritikuar ashpër Kovaçevskin edhe për programin qeverisës që e paraqiti në Kuvend të shtunën.
“Në kohën kur kemi krizë të rënë ekonomike, shëndetësore, energjetike dhe mungesë të ngrohjes qëndrore, mandatari për kryeministër flet për gjendje të mirë ekonomike dhe rritjen e Prodhimit Bruto Vendor. Si mund të harrojmë se kemi inflacion, se qytetarët nuk kanë as bukë për të ngrënë, kur çmimet e produkteve po rriten, kur paraja po humb vlerën?. Kjo është tallje me ndjenjat e qyetarëve”, ka thënë Lasovska.
Ndërkaq, Marija Georgievska, deputete e LSDM-së, ka thënë se partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re kanë legjitimitet të plotë ta udhëheqin vendin, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë mbështetjen e qytetarëve.
“Hristijan Mickoski në zgjedhjet parlamentare nuk ishte bartës i listës dhe kandidat për deputet. Pra, a do të kishte legjitimitet për ta formuar qeverinë nëse do të fitonte VMRO-DPMNE dhe koalicioni i tij?” ka thënë Georgievska.
Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët ka thënë se qeveria e re e Maqedonisë së Veriut nuk mund të quhet e re, sepse të gjithë anëtarët e saj janë “fytyra të vjetra të qeverisë së kaluar”, të cilën ai e ka cilësuar si “të korruptuar dhe të paaftë të përballet me shumë probleme me të cilat përballet vendi”.
Snopçe ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës në të cilën ndodhet vendi.
Dimitar Apasiev, deputet i partisë “E Majta”, e ka kritikuar përbërjen e qeverisë, sidomos numrin e madh të ministrave shqiptarë. Ai e ka cilësuar këtë si tendencë për “shqiptarizimin e Maqedonisësë Veriut”.
“11 poste ministrore për maqedonasit dhe 10 për shqiptarët. Pra, kjo është një tirani kornizë, një gjysmë protektorat, një shtet paralel në një shtet ku të rinjtë maqedonas dhe shqiptarë nuk komunikojnë, mosrespektimi i himnit, i gjuhës, kurse Bujar Osmani (ministri i Punëve të Jashtme) duhet të ketë kujdes se çfarë bën me Bullgarinë”, ka thënë Apasiev.
Debati për qeverinë e re në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjasë deri të dielën në mesnatë, kur pritet të votohet për përbërjen kabinetit të ri qeverisës.
Mandatari për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij para deputetëve, ka thënë se ai ka plane konkrete për zhvillimin e vendit.Ai kathënë se qeveria e tij o të përqendrohet në tri prioritete: përballjen me krizën energjetike, me pandeminë e koronavirusit dhe me rritjen e standardit jetësor të qytetarëve.
Kovaçevski ka thënë se qeveria që do ta udhëheqë ai do të angazhohet seriozisht edhe për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, por e ka përjashtuar mundësibë që me Sofjen të bisedohet për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas.
Dimitar Kovaçevski është propozuar për pozitën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut pas zgjedhjes së tij për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), në vend të ish-kryeministrit Zoran Zaev që dha dorëheqje pas humbjes së partisë në zgjedhjet lokale, më 31 tetor të vitit 2021.
(r.m.)