Shkup, 8 prill 2021 – Maqedonia e Veriut shpreson të ketë kapërcyer pikun e valës së tretë të të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se institucionet po regjistrojnë rënie të shifrave dhe të presionit mbi kapacitetet shëndetësore.
“Të mërkurën dhe enjten kemi ndjerë një rënie të lehtë të presionit në spitale. Të enjten numri është pak më i ulët, duhet të jetë rreth 1.200. Të mos nxitojmë me deklaratat, sepse duhet të monitorojmë situatën këtë javë, por ka shumë të ngjarë se piku tashmë është pas nesh, por ne do ta themi atë në fillim të javës së ardhshme”, ka deklaruar ministri Filipçe.
Të enjten Maqedonia e Veriut ka regjistruar 35 viktima dhe 1.163 të infektuar, shifra këto me të ulëta se ato ditëve të fundit. Të enjten ishin regjistruar 51 viktima, të mërkurën 45, të martën 50 aq sa edhe të hënën. Po ashtu edhe numri i infektuarve gjatë ditëve të kaluara ishte mes 1.200 dhe 1.400.
Në klinikat e Qendrës Universitare në Shkup dhe spitalet tjera janë shtruar mbi 1.700 persona, shumica në gjendjen në rëndë dhe me oksigjeno-terapi.
Sipas një raporti javor të Institutit të Shëndetit Publik në shtatë ditë e fundit, 279 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve nga COVID-19, në mesin e tyre një 28 vjeçar dhe katër të tjerë të moshës mes 29 dhe 30 vjeç.
Sipas raportit të Institutit, në javën e parë të muajit prill është shënuar rritje prej 27% e vdekshmërisë në krahasim me javën e fundit të muajit mars.
Paralelisht me trajtimet mjekësore po vazhdon edhe imunizimi i popullatës. Ministri i Shëndetësisë ka thënë se në përfundim është procesi i vaksinimit të mësuesve pas çka do të nis vaksinimi i edukatorëve të kopshteve ndërsa vijon me kategoritë tjera më të rrezikuar në vendet e punës, përfshirë edhe gazetarët.
Imunizimi po bëhet me vaksinat ruse SputnikV ndërsa personat e moshës mbi 60 vjet me vaksinën AstraZeneca.
Deri të enjten janë vaksinuar rreth 16 mijë qytetarë. Për tu vaksinuar janë regjistruar rreth 140 mijë persona.
Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se Qeveria planifikon të formojë shtab të posaçëm për transport më efikas të vaksinave të porositura. Ai njoftoi se deri në fund të prillit pritet të arrijnë më shumë se 300 mijë doza të vaksinave.
(Isuf Kadriu, REL)