Në Maqedoninë e Veriut shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Shkup, 22 nëntor 2024 – Të premten në Maqedoninë e Veriut e shënuan të premten Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e cila është një nga festat kryesore të shqiptarëve në këtë shtet. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, Kryeministri Hristijan Mickovski dhe drejtues të partive politike uruan shqiptarët për festën.

Presidentja Siljanovska Davkova e cilësoi 22 Nëntorin si datë  të rëndësishme për shqiptarët, por edhe për shtetin e Maqedonisë së Veriut.

“Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm akt i reformës gjuhësore, por edhe simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm. Gjuha krijon një hapësirë për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare. Përmes saj, diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet një mundësi për rritje individuale dhe kolektive”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm shenjë e identitetit të popullit shqiptar, por edhe si shenjë e diversitetit etnik në Maqedoninë e Veriut.

“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik, ndërsa angazhohem për të siguruar që ajo të trajtohet me barazi dhe respekt në çdo nivel të jetës institucionale dhe shoqërore”, tha ai..

Kryeministri Hristijan Mickovski dhe zëvendës-kryeministri Izet Mexhiti folën për rëndësinë e kësaj dite në një aktivitet të organizuar me këtë rast nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

“Intelektualët shqiptarë të bashkuar në Manastir morën vendimin për t’ia hapur gjuhës shqipe rrugën drejt së ardhmes – krijimit të alfabetit të njësuar dhe të standardizuar. Ky vendim nuk ishte vetëm gjuhësor, por një vepër për krijimin e një veçorie kulturore”, tha Kryeministri Mickovski.

Ai tha se kjo festë është urë lidhëse mes qytetarëve të etnive të ndryshme që kanë interesa të përbashkëta.

“Dita e Alfabetit Shqip është një mësim se si shkrim-leximi dhe edukimi mund të jenë ura lidhëse mes njerëzve. Jo temat që na ndajnë, jo kërkesat politike të individëve që shumë vite më parë fshiheshin pas njerëzve që vidhnin. Një fokus i qartë në prioritetet, në nevojat reale për arsim, ekonomi dhe progres na ndihmon të kapërcejmë dallimet, të ndajmë vlerat tona dhe të ndërtojmë një komunitet më të fortë e më të bashkuar”, u shpreh ai.

Zëvendës-kryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, tha se “gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare që kalon kufijtë politikë e territorialë dhe që homogjenizon kombin shqiptar si një tërësi sot”.

“22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, është kujtesë e përpjekjeve të rilindësve për të unifikuar gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar. Alfabeti shqip nuk është vetëm mjet shkrimi, por simbol i krenarisë, kulturës dhe aspiratave tona si popull.Le ta festojmë këtë ditë duke nderuar të kaluarën dhe duke punuar për një të ardhme më të ndritur!Urime Ditën e Alfabetit Shqip”, tha ai.

Në një manifestim tjetër, të organizuar nga Instituti për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, drejtori Skender Asani theksoi synimin që “e ardhmja e gjuhës shqipe të jetë e lidhur ngushtë me synimet e përbashkëta të shqiptarëve për një ardhmëri euro-atlantike”.

Në qytetin e Manastirit, ku është mbajtur Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, më 22 nëntor organizohet tradicionalisht një veprimtari solemne e shoqëruar me ndonjë aktivitet kulturor e artistik.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe njihet si festë e shqiptarëve në Maqedonë e Veriut. Parlamenti i vendit e jep çdo vjet çmimin “22 Nëntori” për veprimtari kulturore, arsimore shqiotare.

Sidoqoftë, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe sivjet shënohet në Maqedoninë e Veriut në një atmosferë pasigurie për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, për shkak se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në këtë shtet është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Opozita shqiptare atje druan se kjo është përpjekje për heqjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetëre e publike.

Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi të premten një debat me temë “mbrojtjen e gjuhës shqipe”, kurse kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tani janë vënë në pozitë për ta mbrojtur atë që e kanë arritur deri tani.

“Deri dje punonim që ta avansojmë përdorimin e gjuhës tonë, ndërsa sot jemi vënë në pozitë për ta mbrojtur atë që e kemi arrirë. Çështja kombëtare, gjuha, flamuri, bashkimi e integrimi, kërkojnë përkushtim nga burra e gra idealistë e misionarë”, ka thënë Ahmeti, në një urim të tij.

 (r.m.)