Tre pjesëtarë të njësisë së forcave speciale të Rusisë, Spetsanz, janë vrarë në luftimet për të marrë kontrollin në qytetin e Mariupolit, në Ukrainë jug-lindore.
Sipas mediave të huaja, ata janë vrarë nga pjesëtarë të regjimentit “Azov” të Gardës Kombëtare të Ukrainës.
Tre pjesëtarët e njësisë speciale ruse janë identifikuar si: kapiten Konstantin Druzhkov, 33 vjeç, Islam Abdurahimov dhe Shamil Aselderov 19 vjeç.
Dokumentet e tyre janë gjetur brenda një automjeti të blinduar, tashmë të sekuestruar nga forcat ukrainase.
Raportohet se kapiteni Druzhkov, i cili ishte i martuar me një grua nga rajoni Donbas i Ukrainës, shërbeu në shtabin e inteligjencës në rajonet jugore të Rusisë.
Ai ishte përfshirë në luftimet në Donbas në vitin 2014 dhe në një llogari të mediave sociale e përdorte pseudonimin Konstantin Dzhugashvili për ta fshehur identitetin e tij të vërtetë.
Dzhugashvili ishte emri i vërtetë i familjes së liderit brutal të Bashkimit Sovjetik, Josef Stalin, i cili vdiq në vitin 1953 në moshën 74-vjeçare nga një goditje në tru.
Njësia special “GRU”, pjesë së cilës ishte edhe Dzhugashvili, është mjaft e njohur në Rusi.
Në Luftën e Ftohtë, një agjent i GRU-së, nën petkun e diplomatit në Londër, kapiteni Yevgeny Ivanov, shkaktoi rënien e një qeverie konservatore, pasi e joshi dhe e manipuloi Christine Keeler, e njohur si e dashura e ministrit britanik të Luftës, John Profumo.
Vlen të përmendet se qyteti i Mariupolit është shkatërruar pothuajse tërësisht nga raketat dhe granatat e forcave ruse.
Por, pavarësisht intensitetit të sulmeve, forcat mbrojtëse vazhdojnë të rezistojnë fuqishëm dhe të pengojnë hyrjen e forcave ruse në qytet.
(r.m.)