Podgoricë, 12 gusht 2022 – Në Mal të Zi janë publikuar informacione më të plota lidhur me masakrën që u krye të pretmen në Cetinjë.
Prokurorja kujdestare, Andrijana Nastiq, ka bërë të ditur se në këtë ngjarje tragjike janë vrarë 11 persona, mes të cilëve edhe personi që u mori jetën 10 personave dhe plagosi 6 të tjerë.
Në mesin e viktimave janë edhe dy fëmijë, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç.
Dy nga të plagosurit janë duke u trajtuar në në spitalin e Cetinjës, ndërsa të tjerët në Podgoricë. Tre prej tyre njoftohet se janë në rrezik për jetën.
Drejtori i policisë, Zoran Bërgjanin, tha se të premten, më 12 gusht, rreth orës 15:30, 34-vjeçari me inicialet V.B. nga Cetinja ka qëlluar me armë në drejtim të anëtarëve të një familjeje që banonte me qira në shtëpinë e autorit, në lagjen Medovina.
“Në këtë rast, duke përdorur armën e zjarrit – pushkë gjuetie – ka marrë jetën e dy fëmijëve, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç, dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila vdiq në spital nga plagët e marra. Më pas ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët të kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, me ç’rast u ka marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur”, tha Bërgjanin.
Ai tregoi se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur rëndë një polic.
Drejtori i policisë, Zoran Bërgjanin, ka thënë se nuk dihet se cilat kanë qenë motivet e që e kanë shtyrë autorin ta kryejë këtë akt të rëndë kriminal. Por, mediet në Mal të Zi raportojnë se konflikti mes autorit dhe qiragjinjve ka nisur për vonesën e qirasë.
Sipas raportimeve, autori i vrasjes së 10 peronave ishte trajtuar pak kohë më parë në spital për probleme me shëndetin mendor, por këto raportime nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
(r.m.)