Nga Ruben Avxhiu
Pashë një postim në rrjetin X (ish-Tuitër) që shprehej shkurt e shqip (në fakt anglisht) se “Vota e Diasporës është imorale”.
Më pas edhe një ripostim të cilin po e sjell këtu verbatim: “Nuk e di qysh mundet mu kon i barabarte me mu ni votus prej diaspores. Diqysh ti si votues prej diaspores nuk shkel ngropat qe shkeli une, nuk perballesh me sherbimet ne spitalet qe perballna une, nuk e qon fmijen neper shkollat qe i qoj une etj etj”.
Bëhet fjalë për votën e diasporës në Kosovë, sepse në Shqipëri, nuk është dhënë ende kjo e drejtë.
Unë jam një përkrahës i hershëm dhe i vendosur i të drejtës të shqiptarëve nga diapora për të votuar. Madje do të ishte mirë që diaspora të kishte vendet e saja të caktuara e të përhershme në Kuvend.
Megjithatë, nuk mund të mohoj se mendimet e dhëna më sipër janë të drejta. Nuk mund të ketë barazi mes atyre që jetojnë në atdhe dhe i ndjejnë në mëyrë të drejtpërdrejtë pasojat e qeverisjes së keqe, me ata që jetojnë jashtë e që e shpesh votojnë për idealizëm e jo për arsye praktike.
As nuk është ky ndonjë debat që lidhet vetëm me shqiptarët. Në shumë vende ku lejohet vota e emigrantëve ka diskutime e pakënaqësi të tilla. Një rast shumë flagrant ishte vota masive për Erdoganin rreth një dekade më parë në diasporën turke, ndërkohë që në Turqi kishte një votë të fortë proteste kundër tij.
Por ndonëse mendimet më lart janë të drejta, ato nuk janë absolute. Nuk ka llogjikë të kundërshtosh faktin se ai që jeton në atdhe e vuan përditë në kurriz votën e gabuar. Por kjo nuk do të thotë se diasporës duhet t’i mohohet e drejta e votës apo akoma më keq të quhet kjo votë imorale.
PESHORJA E VOTËS
Në radhë të parë, votat nuk janë kurrë të barabarta.
Ai që është profesor, ekspert, ka disa diploma etj ka vetëm një votë, sa edhe dikush është analfabet total.
Një votë ka ai që bështyn në rrugë, përmjer pemët, zhgarravit muret e nuk di të mbajë radhën në dyqan, e po një votë ka ai që kujdeset që mbeturinat të hidhen në kosh, që ia liron vendin të moshuarit në autobus, që respekton rregullat minimale të sjelljes në shoqëri.
Një votë ka ai që ka dy-tre shtëpi dhe një vilë në plazh, e një votë ka ai që lyp në rrugë e fle i uritur.
Kjo është demokracia. Një sistem i papërkryer, që në fund ndikimet e pabarabarta balancojnë njëra tjetrën në peshoren e zgjedhjes.
Si e tillë, votuesi në atdhe ka epërsinë se i sheh gjërat nga larg e i vuan në kurriz. Por ai nga jashtë ka epërsinë që i çliruar nga nevojat e të përditshmes mund të jetë më vizionar e largpamës. Të dy në fund e balancojnë njëri-tjetrin.
ROLI I DIASPORËS
Votuesi i diasporës ka nevojë për pak mbrojtje këtu në këtë debat, të them të drejtën. Këta nuk jetojnë në një planet tjetër. Teknologjia e lehtësia e udhëtimit, hapja e kufijve etj e ka lehtësuar shkëmbimin e vizitave, të informacionit e të bashkëpunimit.
Shqiptarët në diasporë kanë familje në Kosovë. Kanë njerëz të afërt. Shpesh kanë prindër, vëllezër e motra. Ata i njohin dhe i dinë problemet e të përditshmes, të spitaleve, shkollave, dhe të gropave të rrugës, se ato i përjetojnë përditë dhe i vuajnë njerëzit e tyre të afërt.
Ata i përjetojnë edhe vetë shumë nga këto probleme kur vizitojnë Kosovën, kur shpenzojnë aty paratë e lëna mënjanë për pushime apo kur investojnë në atdhe e bëhen pjesë e ekonomisë e jetës së vendit.
Nuk po nisem fare nga ajo se pa ndihmën e diasporës mund të mos kishte fare Kosovë të lirë e të pavarur, sepse nuk do të kishte të tillë edhe pa qëndresën e sakrificën e madhe të popullsisë që jetoi aty. Është një çmenduri që të hysh në llogari kontributesh e sakrificash, sepse do të sjellë vetëm përçarje e debate pafundësisht të kota, fyerëse, e poshtëruese. Po preferoj të flas më shumë për ditët tona.
Diaspora kontribuon jashtëzakonisht për ekonomine e Kosovës, me remitanca e ndihma të ndryshme. Ajo kontribuon në mënyrë të rëndësishme për të siguruar përkrahje politike në Perëndim. Janë pjesë e kombit dhe shumë prej tyre jetojnë jashtë vendlindjes kundër dëshirës së tyre. Janë detyruar të ikin e tani nuk shkëputen dot më se kanë vende pune, karriera, kanë fëmijë që e kanë jetën aty etj. Shumë prej tyre kanë mbetur me mendje dhe zemër në atdhe dhe të thuash se nuk ka rëndësi për ta, nëse atdheu keq-qeveriset është e padrejtë dhe mbase e pandershme.
Vota e diasporës e mban atë të angazhuar në atdhe. E bën përgjegjëse edhe atë për zhvillimet të mira e të gabuar. Nxit rikthimin e trurit, të talenteve, të kapitalit, e aftësive profesionale. Është nderim por edhe shfrytëzim në kuptimin e mirë të fjalës. Bashkon pjesë të kombit të ndara padrejtësisht nga historia.
ÇFARË ËSHTË DREJTË APO E MORALSHME
E mira e demokracisë – aty ku funksionon vërtet – është që mund të votosh për të ndryshuar rregullat. Kosova edhe mund të votojë për t’ia hequr mërgimtarit të drejtën e votës, por KJO dhe jo vota do të ishte “imorale”.
Unë mendoj se mërgimtari e ka fituar këtë të drejtë. Me djersë, por edhe me gjak. Mjaftoj të kujtoj djemtë e vajzat e reja që lanë jetën e tyre në Perëndim e u nisën për të luftuar në radhët e UÇK-së. Disa prej tyre dhanë jetën për atdhe. Për liri e për një demokraci të vërtetë.
Për shumë arsye unë mendoj se pavarësisht se vërtet nuk mund të ketë barazi mes atij që voton në atdhe dhe atij që voton nga diaspora, numri i votave të diasporës është shumë më i vogël dhe drejtpeshimi e zgjidh punën e pabarazisë.
Disa përgjigje që lexova po insinuonin se problemi i këtyre që ankohen ishte se Vetëvendosja ka sukses në diasporë dhe nëse po të kishin votuar për PDK e LDK nuk do të ankoheshin për barazinë mes votave. Mbase kjo është arsyeja që ankohen por argumenti i tyre ka vlerë gjithësesi.
Këshilla ime në këtë rast është kjo:
Më mirë se të shpallësh imorale këtë votë të diasporës apo të zëvendësosh një pabarazi me një tjetër apo më të padrejtë që do të ishte mohimi i votës së diasporës, në vend që të thellosh ndarjen mes shqiptarëve këtej e andej, ka një rrugë tjetër më të mirë.
Pse të mos përpiqesh ta informosh dhe edukosh diasporën me pikëpamjet e tua, me historinë e përvojës personale. Pse nuk e fton diasporën që ta shohë me sytë e tu, në vend që t’i diskutosh të drejtën për të thënë fjalën e saj?
Unë them se kjo rrugë, më shumë sesa etiketimi në masë është mënyra më e mirë e komunikimit. Sot njerëzit ende emigrojnë si dhe rikthehen në atdhe. Sot je banor e nesër emigrant si dhe e kundërta. Jemi çdo çast në Facebook, Instagram, X e lloj lloj platformash që na mbajnë më afër njëri-tjetrit se në çdo kohë e gjeneratë tjetër në histori. Mbase mund të them më afër se sa jemi në gjendje ta administrojmë si duhet sjelljen e komunikimin.
Jemi më afër e më të ngjashëm se sa kujtojmë nga mënyrat se si shprehemi këtu e me pak besim e humanizëm mund ta shtojmë mirëkuptimin ndaj njëri-tjetrit në vend që t’i mohojmë apo t’ia zvogëlojmë të drejtën e fjalës e të votës.