Në Mitrovicën Veriore arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it, policët sulmohen nga një grup serbësh

Prishtinë, 13 qershor 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën pasdite në Mitrovicën Veriore është arrestuar Milun Milenkoviq – Llune, njëri nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj gazetarëve në Zveçan, më 29 maj.

Sveçla ka bërë të ditur se Milenkoviq është njëri nga udhëheqësit e formacionit ilegal “Mbrojtja Civile” që vepron në pjesën veriore të vendit. Ai ka terrrorizuar qytetarë dhe ka sulmuar zyrtarë të institucioneve të Kosovës me vite, kurse më 29 maj ka qenë rganizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviqq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë”, ka theksuar ai.

Ministri Sveçla ka bërë të ditur se zytarët policorë që kanë marrë pjesë në operacionin e arrestimit të Milenkoviqit janë sulmuar me gurë e mjete të forta nga grupe serbësh që kanë kundërshtuar arrestimin. Ai ka treguar se tre zyrtarëve policorë u janë shkaktuar lëndime të lehta.

Aksioni për arrestimin e Milenkoviqit ka shkaktuar maraz te një grup serbësh në Mitrovicën Veriore. Disa dhjetra serbë janë grumbulluar pranë shkollës teknike, ku kanë shprehur indinjatën e tyre me udhëheqjen e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, si edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Herë pas here, ata kanë brohoritur “tradhti, tradhti”.

Ata kanë pritur të bisedojnë me drejtuesit e Listës Serbe, por askush nuk ka dalëë t’i takojë.

Nebojsha Joviq nga “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës e Metohisë” u ka bërëë thirrje qytetarëve të revoltuar të ruajnë qetësinë e të përmbahen nga aktet ee dhunshme. Ai ka ftuar për nesër një protestë të serbëve para ndërtesës së Zyrës për Komunitete, në Mitrovicën Veriore, ku është vendosur kryetari i ri i komunës që nuk njihet nga serbët.

Pesë persona të tjerë janë arrestuar më herët për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj gazetarëve në Zveçan, më 29 maj, por Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi masën e paraburgimit prej një muaji vetëm dy prej tyre.

(r.m.)