Në Mitrovicën Veriore arrestohet njëserb i dyshuar për djegie të veturave e sulm ndaj policisë

Prishtinë, 2 prill 2023 – Policia e Kosovës e ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale, të zhvilluar të shtunën, më 1 prill.

Siç thuhet në njoftim, policia e ka arrestuar të dyshuarin pas “hetimeve intensive nga njësitet relevante policore”.

Personi i arrestuar dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

I njëjti person dyshohet se i ka vënë flakën veturave me targa RKS (Republika e Kosovës) në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat KM (Kosovska Mitrovica – Mitrovicë e Kosovës), të lëshuar anga autoritetet e Serbisë. Targat KM janë të ilegale në Kosovë.

Ministri i Brendshëm e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se i arrestuari ka qenë “pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, më parë ai kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke i plagosur dy zyrtarë të saj”.

Ai po ashtu ka vlerësuar se pas djegies së veturave në veri qëndron Beogradi, me qëllimin që të shkaktojë frikë te qytetarët.

“Organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Republikës”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës nuk e ka publikuar identitetin e serbit të arrestuar, ndërsa mediet serbe e kanë identifikuar atë si Milovan B. Nuk janë publikuar më shumë informacione lidhur me të arrestuarin.

(r.m.)