Prishtinë, 16 korrik 2021 – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha të premten se nëmostrat e ujit të marra në komunën e Deçanit janë identifikuar sërish disa baktere të llojit E.coli që mund të kenë shkaktuar kontaminimin e ujit të ujësjellësit, ndërsa një burim të ujit të kësaj komune e ka shpallur jo të pijshëm.
“Nga testimet e dërguara në laboratoret jashtë Kosovës janë identifikuar tri lloj bakteresh, të llojit që çojnë në diarre”, thuhet në njoftimin e këtij instituti.
Të martën komuna e Deçanit e ka shpallur gjendjen emergjente, pasi më shumë se një mijë qytetarë të kësaj komune me simptoma si ato të helmimit kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Qytetarët dyshonin se burim i helmimit ishte uji i ujësjellësit që menazhohet nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”.
Por, “Hidrodrini” tha tëpremten se nga analizat e datës 16 korrik, të kryera nga IKSHPK nuk ka rezultuar se uji i pijshëm nga sistemi i këtij ujësjellësi ka qenë shkaktar i shqetësimeve shëndetësore të banorëve që furnizohen meujë nga ky ujësjellës.
Çështja e menaxhimit të ujësjellësit ishte objekt debati edhe në Kuvendin e Kosovës.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se nga inspektimi në terren del se sistemi i ujësjellësit i kompanisë rajonale “Hidrodrini” nuk është i mbrojtur.
“Pusetat janë të qasshme, rezervuari mund të jetë lehtë i qasshëm, mënyrën se si është bërë klorizimi i ujit është bërë në mënyrë manuale, rrjedhimisht i gjithë sistemi paraqet një brishtësi të madhe sa i përket sigurisë. Prandaj nëse e shohim sistemin e ujësjellësit në vendin tonë dhe sidomos në rastin në fjalë duhet ta kemi të qartë që lehtë ky sistem është i komprometueshëm, lehtë mund që një vërshim uji të krijojë situata të tilla edhe në të ardhmen”, tha ai, citon Zëri i Amerikës.
Ministri Aliu tha se sistemi i ujësjellësit për disa fshatra të Deçanit nuk ka leje ujore dhe se ndërtimi pa planifikim i ujësjellësve mbetet shqetësim.
“Në vend se të krijohen ujëmbledhës dhe të menaxhohet uji duke krijuar liqen artificial dhe ujëmbledhësit prej të cilëve pastaj furnizojnë gjithë popullatën me ujë, këtu kemi në mënyrë ad-hoc, piketime të veçanta të burimeve me gypa të veçantë për të dërguar deri tek një lagje e përcaktuar. Kur kemi sisteme të tilla do të ketë defekte si ky edhe në të ardhmen”, tha ai.
Ministri Aliu tha se qeveria do të inspektojë të gjithë ujësjellësit në Kosovë për të parë gjendjen e tyre. Ai tha se ndërtimet pa planifikim të ujësjellësve ka çuar në situata të tilla sikurse në komunën e Deçanit, të cilat janë të rrezikuara nga ndotja.
Autoritetet lokale në Deçan thonë se situata ka filluar të përmirësohet dhe se numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore ka rënë.
(r.m.)