Nga Fuat Memelli-Boston
Prej kohësh kam dashur të shkruaj për sinicarin Ismail Memelli. Kjo dëshirë buronte për përkushtimin e tij në punë dhe aritjet që pati, për dashurinë e tij për Sinicën dhe Shqipërinë, si dhe për pengesat e trishtimet që pati në jetë nga sistemi i kaluar, të cilat e brejtën shpirtin e tij, por nuk e mposhtën. Ismaili ishte një nga gjashtë fëmijët e Zylfos dhe Byles. Lindi në Sinicë të Devollit në vitin 1938. Fëminia e tij ishte e vështirë. Vendi nuk ishte çliruar ende nga okupatorët e huaj. Shkollën fillore dhe shtatë vjeçare e kreu në vendlindje. Më pas mbaroi shkëlqyeshëm shkollën dy vejçare të Rezervave të Punës dhe më pas shkon të kryejë shërbimin ushtarak në bazën detare të Pashalimanit.
VITET NË NËNDETËSE
Në vjeshtën e vitit 1957 shkoi për specializim në Savastopol të ish Bashkimit Sovjetik ku qëndroi disa muaj bashkë me një gup marinarësh dhe oficerësh. Kur u kthye në atdhe, shërbeu në bazën e Pashalimanit. Siç tregon ushtaraku Fahri Perona me origjinë nga Suli i Devollit i cili ka shërbyer në atë bazë, Ismaili ka qënë pjesëtar i efektivit të parë të krijimit të brigadës së nëndetseve, rreshtuar në nëndetsen e parë me detyrë komandant i grupit të elektriçistëve. Ai dhe gjithë efektivi i parë i nëndetseve u specializua në Sevastopol të ish Bashkimit Sovjetik për disa muaj. Siç thotë Fahriu vështirësitë në nëndetëse ishin të mëdha si: temperaturat e larta në lundrim, prezenca e hidrogjenit dhe e gazit karbonik në ambient të mbylluar, ushqimet e konservuara, shërbimet e shpeshta, gadishmëria e lartë, shpesh tre muaj pa shkua në shtëpi, etj. Në bazën e Pashalimanit dolën hapur kontraditat me sovjetikët. Ata deshën të marrin katër nëndetset, por nuk ia aritën qëllimit dhe më 4 qershor 1961 u larguan nga vendi ynë. Pas largimit të sovjetikëve, ndihej nevoja e vazhdimit të punës në nëndetëse, sepse pas 4-5 muaj liroheshin detarët e specializuar. Ju bë thirrje të qëndronin aty dhe Ismaili ishte ndër të parët që iu përgjigj. Nga një ngjarje në komunizëm siç do tregojmë më poshtë, e kaluan nga nëndetëset në kantierin e riparimit të anijeve detare. Këtu ai përgatiti një grup elektriçistësh, të cilët me kalimin e viteve përvetësuan teknologjinë e riparimit dhe garantuan gadishmërinë e anijeve të flotës luftarake detare. Në vitin 1964 u martua me Myrveten me origjinë nga Korça. Kur ishte në Pashaliman, lindën dy vajza, Arianën dhe Albinën.
KALVARI I VËSHTIRËSIVE QË NUK E MPOSHTËN
Si pasojë e komunizmit e pësoi Ismaili. E pësuan edhe dy vëllezrit e tij, Rasimi dhe Ibrahimi, etj. Pas kësaj ngjarje Ismailin e kaluan për ca kohë në repartin e riparimit të anijeve të flotës detare. Duke ditur që me këtë “cen” në biografi, nuk mund të vazhdonte të punonte në Pashaliman, kërkoi vetë të largohet. Por, ku të shkonte? Historia e persekutimit komunist e ndiqte nga pas. Mendonin se mund t’i shërbente sovjetikëve me që kishte qënë aty. Vajza e tij , Ariana Disha ( Memelli) më tregon për kalvarin që pati. Më tregoi se urdhëri në fillim ishte për internim dhe konfiskim pasurie. Tentoi të fillojë punë në Korçë, por punonte pak ditë dhe e largonin. Sigurimit nuk i shpëtonte gjë. Filloi punë edhe në Ndërmarjen e Ndërtimit në Elbasan, por edhe këtu e njëjta histori, punoi dy javë dhe e larguan, sikur të kishte murtajë. Gruaja me dy vajzat për dy vjet jetuan në Sinicë te prindërit e Ismailit, ku bëheshin 11 vetë e siç dihet në vitet e kooperativës varfëria ishte e madhe. Pas dy vjet sorollatje, më fund ish kryetari i komitetit ekzekutiv të Librazhdit, Koci Sinica, me origjinë nga ky fshat, e ndihmoi dhe filloi punë si elektroauto në Ndërmarjen e Ndërtimit në këtë qytet. Ata që e kanë njohur nga afër në Librazhd, flasin fjalët më të mira. Një prej atyre që më ka folur, ishte poeti i njohur Koçi Petriti, i cili disa vjet ka jetuar në Librazhd, më ka thënë :” Ismaili ishte duarartë. Atë e vlerësonin të gjithë në Librazhd.” Megjithatë nuk e linin rehat. Disa herë e provokonin që të fliste ndonjë fjalë dhe ta arestonin. Një spiun që punonte aty, jepte informacione të reme dhe te puna ka shkuar dy-tre herë gazi i Degës së Punëve të Brendëshme për ta arrestuar por pasi Ismaili ka ditur të mbrohet. U mbyll në vetvete dhe fliste vetëm për punën. “Shok” i afërt iu bë duhani që nuk e ndau sa ishte gjallë. ”Shoqe” të afërt kishte edhe kitarën. I binte asaj dhe këndonte në familje dhe te njerëzit e tij. Duke vlerësuar kontributin e tij kur ishte në Pashaliman, kanë ardhur dy herë në Librazhd dhe kanë takuar Ismailin ushtarakët e asaj baze, Aleko Pojani dhe Fahri Perona, megjithëse ai ishte me “njollë” dhe ndiqej nga sigurimi i shtetit.
ISMAILI NË BOTËN TJETËR, FAMILJA NË AMERIKË
Pas ditëve e viteve të trishta, era e ndryshimeve për këtë familje nisi me ardhjen e demokracisë. Ismaili e mirëpriti dhe ishte ndër anëtarët e parë të Partisë Demokratike. U zgjodh edhe kryetar i sindikatës së kësaj partie në Librazhd. Kaluan pak vite dhe ai ndjeu zhgënjim. Në sindikatë dhe struktura të tjera, u zgjodhën njerëz jo idelistë dhe të përkushtuar siç kishte menduar ai. Në vitin 1997 vajza e tij , Anila, duke qënë nxënëse e shkëlqyer, vjen me studime në Amerikë nëpërmjet një shoqate . Duke e përcjellë në aeroportin e Tiranës, i jati i kishte thënë: “Ti po shkon me studime por krahas rezultateve në mësime, mbi të gjitha të jesh njeri. Të ndihmosh mamin dhe motrat. Mua vallë do më gjesh, por mos u mërzit dhe mos lerë shkollën të vish .” Vajza e re që po nisej me gëzim për studime, u çudit nga fjalët “ vallë do me gjesh.” E pyeti përsëri të jatin por nuk i dha më shpjegime. U përqafuan dhe ky ishte takimi i fundit me të . Në trupin e Ismailit ishte shfaqur sëmundja e pashërueshme por nuk ia kishte thënë ende familjes. Më 10 prill të vitit 1997, ndrron jetë dhe prehet në varrezat e Librazhdit. Pas viteve 2000, vijnë në Amerikë me bashkim familjar edhe dy motrat e tjera, Albina dhe Ariana bashkë me familjet e tyre. Jetojnë në Las Vegas dhe janë integruar shumë mirë në jetën amerikane. Mbajnë lidhje me Shqipërinë dhe e duan atë megjithë shpirt, pasi vendlindja është vendi ku rrobërohet shpirti, pavarësisht trishtimet e mëdha që patën nga regjimi i kaluar.