Në një shtet ligjor, Vuçiqi do të përgjigjej penalisht…

Adil FETAHU

Po të funksiononte shteti ligjor në Serbi, Vuçiqi do të përgjigjej për përhapjen e informatave të rrejshme e gënjeshtrave, për ndjelljen e frikës e panikut në popull, për nxitje të luftës, vepra penale që sanksionohen edhe me Kodin Penal të Serbisë (neni 343). Por, në Serbi nuk funksionin shteti ligjor. Vuçiqi është mbi ligjin dhe mbi popullin, të cilin e manipulon si të dojë…

 

Në një konferencë për meida që E mbajti më 29 qershor, kryetari i Serbisë, nxënësi i Sheshelit e ministri i Millosheviqit, në stilin e dy të përmendurve, të cilin e ka përvetësuar mirë, lansoi gënjeshtra, lavdërime, frikësime e kërcënime, me qëllim të homogjenizimit të serbëve rreth idesë së tij luftënxitëse. Ai vet konferencën e tij e quajti historike dhe më të ashprën në historinë e tij!

Shkas për atë konferencë (monolog), përplot gënjeshtra, lavdërime e kërcënime, ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës, për mospranimin e lejeve të njoftimit të Serbisë për qytetarët serbë të Kosovës, dhe ndërrimi i targave të regjistrimit të automjeteve me regjistrimet e vjetra serbe, të kohës së okupimit të Kosovës: PR; KM; PZ; GL; UR; PE; DJ.

Këto vendime plotësisht të drejta të Qeverisë së Kosovës, Vuçiqi i cilësoi si “shkelje e të drejtave dhe presion mbi qytetarët serbë të Kosovës, si plan, presion, sulm dhe “Stuhi,” për t’i i detyruar ata të shpërngulën nga Kosova.

“Me vite po durojmë gënjeshtrat e përfaqësuesve të Kuintit dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës, dhe ata hiqen sikur janë shumë të mençur. Serbët i kanë përmbushur të gjitha marrëveshjet e Brukselit, kurse ata asnjë, dhe Brukseli hesht. Dhuna juridike mbi serbët po vazhdon. Atyre nuk u intereson e drejta ndërkombëtare. Por, populli ynë këtë nuk do ta durojë më, nuk do të durojë hyrjen e njësive shqiptare me tyta të gjata dhe automjete të blinduara”, tha Vuçiqi.

“Populli në Serbi duhet ta dijë se pushteti i përkohëshëm (sic) i Kosovës, ka përkrahjen e Kuintit, me ç’rast Amerikanët janë më pak mendjemëdhenj, në krahasim me të tjerët. Do të jetë interesante vera dhe vjeshta. Nuk ekzistojnë më parime në marrëdhëniet ndërkombëtare, por vetëm pjesa e poshtme e shpinës së tyre (lexo: prapanica, v.j.), e vendeve të Kuintit, të cilat janë të brengosura për naftën dhe ekonomitë e tyre. Unë iu lutem të zbresin nga fodulleku i tyre dhe të respektojnë të drejtën e atyre, të cilët veçse i kanë vrarë. Shpresoj se nuk do t’iu shkojë mendja që atë ta përsërisin. E t’ua them të drejtën, ne nuk kemi më ku të shkojmë. Dhjetë vjet po përpiqemi të arrijmë kompromis, ndërsa ata vetëm shikojnë të na poshtrojnë dhe të na e ndjekin popullin tonë. Përgjigja jonë do të jetë esull, por e vendosur dhe e vërtetë. Kurrëfarë aksionesh ushtarake nuk do të ndërmarrim, por iu lutëm të mos tentojnë t’ua marrin pasurinë dhe ta përzënë popullin tonë. Deri më 30 shtator kanë kohë të mjaftueshme të mendohen”, shtoi ai.

“Mendoj se kjo është konfernca ime më e ashpër që e kam mbajtur, dhe ua kam thënë të gjitha në sy dhe për këtë kam hyrë në histori. E kanë plot gojën Ukrajinë. Pajtohen dhe bëjnë me kokë kur ndryshohet Karta e Kombevetë Bashkuara për Ukrainën, ndërsa kur ajo përmendet në lidhje me Serbinë, atëherë janë disi të mendueshëm. Secili më Ajnshtajn se Ajnshtajni dhe më Hegel se Hegeli. Serbia do të reagojë në rrugë diplomatike, respektivisht me lutje, sepse nuk do të lejojë të përsëritet ‘Stuhia’. Kjo konferencë është lutja ime për t’ua tërhequr vërejtjen, ngase nuk di çfarë të them tjetër, përveçse ndaluni o njerëz”, e përfundoi monologun e tij Vuçiqi, duke kërcyer prej teme në tjetren, prej subjekteve kosovare te ato ndërkombëtare.

Në përkrahje të fjalimit të Vuçiqit, kanë dalë kryeministrja Ana Bërnabiq, ministri i Brendshëm Aleksandar Vullin, etj.

Kryetarja e Qeverisë së Serbise, Ana Bërbnabiq tha se ishte e befasuar kur kishte dëgjuar kryetarin Vuçiq në konferencën për media. “

“Ishte më i ashpër dhe më i sinqertë se kurrë më parë. Krejt atë që ka thënë – qëndron. Gjithçka është e vërtetë absolute. Nuk ka një njeri serioz që mund t’ia kontestojë asnjë fjalë e asnjë tezë të fjalimit të tij. Shumica e shteteve të Perëndimit, kur flasin për luftën në Ukrainë, i referohen Rezolutës 1244, kurse në rastin e Serbisë ajo nuk respektohet. Nuk mund të flitni për parimin themelor të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit juridik, e kjo është moscenimi i integritetit territorial të shteteve, e të mos e thoni se në rastin e Serbisë keni bërë gabim, sepse kështu nuk e respektoni atë parim. Serbia është i vetmi shtet që nuk sillet me cinizëm dhe që e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e saj, që nënkupton se integriteti territorial i shteteve është i pacenueshëm. Në marrëveshjen e Brukselit nuk ka asnjë dispozitë për targat, kurse Prishtina nuk i zbaton obligimet nga ajo marrëveshje, ndërsa ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet tona”, ka thënë Bërnabiq, tamam në stilin e Vuçiqit për digresion prej një teme në tjetrën.

Ndërjaq Vullini ka thënë: “Nuk po kërcënojmë askënd, nuk do të ketë luftë, nuk do ta përdorim ushtrinë, por, po ju lutem shumë, mos tentoni të na i përzëni fëmijët nga Veriu i Kosovës e Metohisë, mos tentoni ta bëni të qajë asnjë fëmijë serb, mos tentoni ta përsëritni ‘Stuhinë’, sepse nuk do të përfundojë mirë! Unë nganjëherë kam ndjenjen se Bashkimi Europian dhe Prishtina janë çmendur. Or budallenjë, a jeni ju normalë të hyni në shtëpitë e serbëve e t’ua merrni autombilat, targat dhe të shtireni se ky është sundimi i ligjit?”, është kërcënuar megafoni i Vuçiqit (Vullini).

* * *

Retorika dramatike e Vuçiqit dhe lakejve të tij, duke përmendur operacionin e forcave kroate “Stuhia”, egzodin, luftën, është një reçetë e njohur serbe e provuar pas vitit 1992. Retorika e tillë ka për qëllim homogjenizimin e serbëve të Serbisë me ata të Kosovës. Ekziston një vendim i pashpallur i organeve të Serbisë, që punonjësve të institucioneve serbe në veri të Kosovës nuk u është lejuar të shkojnë në pushime verore. Është ky një veprim i frikësimit dhe homogjenizimit të tyre.

Banalizimin e çështjes së targave, për ta ngritur atë nga çështje teknike në çështje politike, të të drejtave të njeriut dhe të sigurisë etnike, mund ta bëjë vetëm një nxënës dhe trashëgimtar politik i Millosheviqit, i mësuar të qeverisë duke krijuar frikë e panik në popull, për të ashpërsuar edhe më shumë marrëdhëniet ndëretnike e për të krijuar atmosferë për konfllikte.

 Vuçiqi, Bërnabiçka, Vullini e të tjerë “harrojnë” se shqiptarët nuk mund të hyjnë në territorin e Serbisë me targat e RKS, gjë që e detyroi Qeverinë e Kosovës të zbatojë reciprocitet edhe për qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ata “harrojnë” se Kosova është shtet i pavaur që i ka ligjet dhe rregullat e veta, të cilave duhet t’u përmbahen të gjithë qytetarët e Kosovës. Targat e automjeteve nuk lëshohen në bazë të përkatësisë nacionale, por në bazë të legjislacionit në Kosovës. Portparolli i Bashkimit Europian, Peter Stano, tha haptas se Prishtina ka pasur të drejtë të vendosë për targat. Kurse Vuçiqi, Bërnabiçka, Vullini përzihen në punët e brendshme të Kosovës, sepse për ata Kosova nuk është shtet, është shtet “i rrejshëm”, shtet “i ashtuquajtur”…! Ata jwtojnë ende në iluzione se Kosova është Serbi!

Kur flet kundër Kuintit dhe shteteve të Perëndimit, Vuçiqi sikur ka marrë instruksione nga Harçenko (ambasadori rus në Beograd) e Llavrovi (ministri i jashtëm i Rusisë) për ta sulmuar Perëndimin.

Po të funksiononte shteti ligjor në Serbi, Vuçiqi do të përgjigjej për përhapjen e informatave të rrejshme e gënjeshtrave, për ndjelljen e frikës e panikut në popull, për nxitje të luftës, vepra penale që sanksionohen edhe me Kodin Penal të Serbisë (neni 343). Por, në Serbi nuk funksionin shteti ligjor. Vuçiqi është mbi ligjin dhe mbi popullin, të cilin e manipulon si të dojë…