Në Nju Jork, një shqiptaro-amerikan akuzohet për mbështetje të Shtetit Islamik

Nju Jork, 23 nëntor 2024 – Autoritet amerikane njoftuan të premten për arrestimin në Nju Jork të shqiptaro-amerikanit Erald Alimehmeti, bazuar në akuzën për përpjekje për të mbështetur organizatën terroriste Shteti Islamik.

Erald Alimehmeti, 33 vjeç, u dërgua të premten para gjykatësit federal Stewart D. Aaron, i cili urdhëroi ndalimin e tij.

Zyrtari i FBI-së në Nju Jork, James E. Dennehy tha pas arrestimit se “Erald Alimehmeti ka bërë përpjekje në internet për të rekrutuar dhe trajnuar individë, që ai besonte se kishin pikëpamje të ngjashme me të dhe vazhdimisht ka shpërndarë një numër udhëzimesh mbi prodhimin e eksplozivëve për përdorim në sulme terroriste.”

Në një deklaratë për shtypin, të lëshuar të premten nga Zyra e Prokurorit të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Damian Williams, thuhet se Erald Alimehmet, me shtetësi amerikane dhe shqiptare, ka banuar në Bronks dhe në 2014 ishte zhvendosur në Shqipëri. Ai është arrestuar dhe burgosur dy herë nga autoritet shqiptare, duke vuajtur dënime me burg në vitet 2015-2019 dhe 2020-2022 për armëmbajtje dhe sulm fizik ndaj personave të tjerë. 

Sipas akuzës, në vitet 2019 dhe 2020, ai postonte në mënyrë të rregullt në mediat sociale mesazhe dhe video në mbështetje të Shtetit Islamik, duke përfshirë mesazhe lavdëruese për disa figura udhëheqëse të këtij grupi. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë gjithashtu përmendet positmi i një video në mediat sociale, ku ai thotë: “Shteti Islamik në Afrikë po vret kryqtarët, forcat speciale franceze dhe ato amerikane.”

Ndaj 33 vjeçarit nga Tirana janë ngritur dy akuza, njëra për tentativë për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, për të cilën dënimi maksimal është 20 vjet burg dhe tjetra për shpërndarje informacioni në lidhje me eksplozivët, mjetet shkatërruese dhe armët e shkatërrimit në masë, për të cilën dënimi maksimal është 20 vjet burg.

Prokurori federal Damian Williams falenderoi autoritetet në Shqipëri dhe ato në Australi për ndihmën e tyre të vlefshme në hetimin e këtij rasti.

(Zëri i Amerikës)